Zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot zhvilloi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rosana Duxhak. Tema kryesore e takimit mes Osmanit dhe Duxhakut, ishte përgatitja e Kornizës së re për mbështetjen e zhvillimit të vendit, qëllimi i të cilit është që të sigurojë evidencë për progresin e zbatimit të reformave të cilat janë paraparë në programin e Qeverisë, si dhe të sigurojë tregues të matshëm për atë se çka është arritur dhe çka duhet bërë si hapa të ardhshëm.

“Sekretariati për Çështje Evropiane udhëheq Kornizën e vlerësimit të progresit (PAF) dhe deri më tani shënuam progres të madh pasi që sërish e vendosëm në grupet Sektoriale të punës në vitin 2017, dhe në këtë drejtim dialogun sektorial për politika në kuadër të PAF-it mund ta llogaritim si një tregim të suksesshëm të vitit 2019”, thuhet në komunikatën për media të Sekretariatit për Çështje Evropiane.

Zëvendëskryeministri Osmani, siç njoftojnë nga kabineti i tij, gjatë këtij takimi ka shtuar se vendi ynë vazhdon të zbatoj reformat për integrimin evropian, me harmonizim dhe pajtueshmëri të plotë me rregullat dhe standardet evropiane.

Mes tjerash në këtë takim u hapën temat lidhur me arritjen e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, mbështetja e KB-së për procesin e demokratizimit të shtetit, si dhe mbështetja në fushat më të rëndësishme për qytetarët, në veçanti në pjesën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, me qëllim të forcimit të mëtutjeshëm të partneritetit strategjik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kombeve të Bashkuara.