Oda e Pavarur Hotelerike (OPH) konsideron se protokollet e reja për organizimin e dasmave janë kundërthënës dhe jologjik. Sipas OPH me protokollet e reja bëhet kufizim në kryerjen e veprimtarisë hotelerike, gjegjësisht ju lejohet të punojnë vetëm disa objekteve hotelerike.

“E themi qartë dhe publikisht se dasma/festa ka pasur dhe do të ketë në të gjitha objektet hotelerike që janë të regjistruara për kryerjen e veprimtarive hotelerike dhe që punojnë në pajtueshmëri me shifrat për veprimtari 56 – Veprimtari për përgatitjen e ushqimit dhe shërbimit të tij, sipas Ligjit për Veprimtari Hotelerike në Regjistrin Qendror të RMV-së”, thonë nga OHP.

Sipas tyre, me protokollet e reja ju është bërë padrejtësi edhe industrisë së muzikës.

Dje u publikuan protokollet për organizimin e dasmave dhe ahengjeve tjera, sipas të cilëve, mysafirë do të mund të jenë vetëm ata me temperaturë më të ulët se 37.5 gradë, ndërsa të tjerët do të kthehen në shtëpi.

Protokolli gjithashtu parasheh që dasmat të organizohen në ambiente të hapura dhe me 100 mysafirë maksimum.