Me testimet e fundit për zbulimin e të infektuarve të rinj me koronavirus në rajonin e Gostivarit, është konfirmuar një rast i ri. Rezultat pozitiv me Kovid-19 rezultoi një banor i fshatit Negotinë rajoni i Pollogut, komuna e Vrapçishtit. Për sot rreth mesditës është caktuar takim i jashtëzakonshëm i Shtabit të krizës në të cilin do të shqyrtohet gjendja aktuale dhe pritet të sillen konkludime me rekomandime për qytetarët.

Sipas informacioneve të shtabit ndërkomunal të krizës për komunat si Gostivari, Vrapçishti, Mavrova dhe Rostushe, deri sot ka 12 raste aktive nga të cilët shtatë në komunën e Gostivarit, pesë në Vrapçishtë dhe asnjë në Mavrovë dhe Rostushë.

Pesë mjekohen në kushte spitalore, ndërsa të tjerët të cilët janë pa simptoma janë në shtëpi. Epidemiologët kanë dhënë urdhra dhe kanë rekomanduar vetizolim për rreth njëzetë persona. Ata janë kryesisht persona të cilët kanë pasur kontakte me çiftin nga fshati Çegran, ku janë regjistruar gjithsej pesë persona.

Në ndërkohë bëhen sondazhe dhe testime, ndërsa është zbatuar edhe dezinfektim i objektit të NP Komunalec, sipas protokolleve epidemiologjike.

Nga fillimi i pandemisë, në rajonin e Gostivarit janë bërë 4040 testime, ndërsa tek 30 raste ka pasur rezultate pozitive. Nga pasojat nga Kovid-19 në rajonin e Gostivarit, jetën e kanë humbur tre persona.