Një person ishte kapur nga pjesa e jashtme e një vagoni të një treni të shpejtë në Gjermani, i cili udhëtonte me shpejtësi deri në 282 kilometra në orë, dhe shpëtoi pa lëndime, njoftoi policia dje. Një 40-vjeçar shtetas hungarez u hipi trenit në Mynih të enjten pa biletë, me destinacion qytetin bregdetar verior të Lybekut. Por policia deklaroi se kjo nuk ishte arsyeja për veprimin e tij të rrezikshëm.

Kur treni ndaloi në stacionin në Ingolstadt, rreth 70 kilometra në veri të Mynihut, pasagjeri zbriti nga treni për të ndezur një cigare. Kur kuptoi se dyert ishin mbyllur dhe treni ishte nisur, ai u hodh mbi lidhjen midis dy vagonëve dhe u kap pas kabllove ndërsa treni përshpejtonte deri në 282 km/h, njoftoi policia.

Dëshmitarë nga platforma thirrën policinë rreth orës 15:00. Makinisti i trenit ndaloi trenin në qytetin Kinding, rreth 30 kilometra në veri të Ingolstadt, ku burri u arrestua.

Burri i tha policisë se ishte hedhur në tren sepse bagazhi i tij ishte ende brenda. Për çudi, ai nuk pësoi lëndime gjatë incidentit që rrezikonte jetën, tha një zëdhënës i policisë federale.

Ai tani është nën hetim për udhëtim pa biletë dhe për “sjellje shqetësuese”, që konsiderohet vetëm si kundërvajtje.