Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski thotë se ata nuk lëkunden nga qëndrimi për të mos votuar për Talat Xhaferin për kryeministër të qeverisë teknike.

Nikollovski për “Alsat” tha se kjo parti nuk ka problem me përkatësinë etnike të Xhaferit por nuk e mbështetësin për shkak se ai dhe eksponentë të tjerë të BDI-së janë të komprometuar për shkak të aferave korruptive.

“Ne nuk kemi problem me përkatësinë etnike, ne kemi problem me kapacitetin jo vetëm të Xhaferit por të gjithë strukturës politike që e mbështet. E dini se jemi kritik i zëshëm i asaj që BDI-ja e bën vitet e fundit në Maqedoni. E kemi thënë qartë se nuk i shohim si partner në të ardhmen. Nuk mendojmë se njerëz të komprometuar në atë mënyrë që për fat të keq pushtetin e përdorin për interesa personale mund ta çojnë vendin në një proces të qetë zgjedhor”, theksoi Nikollovski.

Por, a do të votonit për ndonjë kandidat tjetër të BDI-së për kryeministër teknik?

“Jo, këdo që do ta propozonte BDI-ja, nuk dua të përmend emra që mos të keqkuptohem, ne nuk do ta votonim, respektivisht qëndrimi ynë do të ishte njëjtë sikurse tani”, tha Aleksandar Nikollovski