Zgjedhjet e mbajtura të mërkurën kanë dhënë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për konceptin e “kryeministrit shqiptarë” duke i dhënë BDI-së 15 deputetë. Nga ana tjetër partia e Zaevit ka marrë dy deputetë më shumë tek blloku maqedonas dhe e bën atë mandatare e përgjegjëse për formimin e koalicionit qeverisës.
Nëse e kemi parasysh gjuhën e përdorur në të kaluarën gjatë fushatës zgjedhore, dukej se dy partitë kishin shkuar aq larg sa vështirë do ta kenë të bashkëpunojnë sërish në të ardhmen. Por numrat e deputetëve duket se sërish do t’i ulin në tavolinën e negociatave të dy ish partnerët qeveritar, por që kësaj radhe Ahmeti do të kërkojë që kryeministër mos të jetë Zoran Zaev, por kandidati shqiptar për kryeministër, Naser Ziberi.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se është i gatshëm të formojë qeverinë e re, pa kushte dhe pa pranuar asnjëherë që ndonjë shqiptar të drejtojë qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut. Por çfarë nënkupton kjo deklaratë dhe cilat janë manipulimet pas së cilave fshihet Mickoski! A i dërgon mesazh Zaevit se mund të bëjë qeveri me Ahmetin dhe partitë tjera më të vogla nëse ai nuk merret vesht me ndonjë parti shqiptare, apo i dërgon mesazh Zaevit se do ta kesh mbështetjen time për mos ta udhëhequr qeverinë ndonjë shqiptar!
Pyetja e dytë, që VMRO DPMNE-ja ta mbeshtesë LSDM-në e t’i lënë jashtë partitë shqiptare është shumë e rrezikshme, jo për partitë shqiptare por për vetë ekzistimin dhe funiksionimin e shtetit. Në këtë teori, gjatë fushatës kishte edhe deklarata të atilla se “nëse maqedonasit bëhen bashkë, atëherë edhe shqiptarët do të bëhen bashkë dhe do formojnë qeveri të tyre”!
Politika maqedonase është e vetëdijshme se nuk mund të realizojë asnjë lloj të qeverisjes pa shqiptarët sepse kjo do të thoshte fund të një sistemi juridik dhe politik të Maqedonisë së Veriut. Nëse ndërmerret një rrezik i tillë, atëherë çmimi që do të paguhet është shumë i madh për stabilitetin dhe sovranitetin e shtetit.
Kjo, ndoshta edhe është shumë larg mendjeve të ndritura për të ndodhur dhe nuk do të lejohet të ndodhë në Maqedoninë e Veriut, qoftë nga faktori ndërkombëtar por edhe nga shtresa intelektuale, e cila e kupton mirë se jetëgjatësia e këtij shteti mbahet me prezencën dhe përkrahjen e shqiptarëve.
Në lojën për formimin e qeverisë dhe nga deklarata e para shtrohet pyetja se kush do ta rrisë ose ulë pazarin e votave të çdo partie për formimin e qeverisë. Shqiptarët kësaj radhe kanë fituar numër të konsiderueshëm të deputetëve dhe janë faktorizuar edhe më shumë, që do të thotë se kanë shanse të marrin një pjesë më të madhe të “kulaçit qeverisës”, qoftë edhe duke e udhëhequr komplet qeverinë me anë të një kryeministri.
Nëse VMRO DPMNE me deklarata e saj do të mundohet të ulë “pazarin” e partive shqiptare, atëherë shqiptarët duhet të tregohen shumë të mençur dhe largpamës duke ruajtur interesin e njëri tjetrit dhe të kenë qëndrim të unifikuar për kërkesat e tyre.
Kryetari i BDI-së ka bërë lëvizjen e parë në “tabelën e shahut” duke i telefonuar kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçin si dhe kryetarit e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ndërsa ka njoftuar se do të realizojë biseda edhe me liderët tjerë sikurse Afrim Gashi, Ziadin Sela dhe Vesel Memedi. Qëllimi i këtyre telefonatave është që të këmbejnë mendime se si të veprojnë më tej në formimin e përbërjes së re parlamentare dhe të shohë se cili është qëndrimi i tyre karshi situatës së krijuar.
Nuk përjashtohen të gjitha mundësitë, siç është bashkimi i të gjithë deputetëve shqiptarë dhe kushëtzimi i partive maqedonase që një shqiptarë të drejtojë qeverinë e re. Në këtë konstalacion,, shqiptarët do të mbeteshin pa opozitë, që mund mos të jetë e shëndetshme për klimën politike të shqiptarëve të Maqedonisë se Veriut.
Por, mund të ndodhë që edhe partitë shqiptare të mbështesin parimin e formimit të qeverisë nga ana e partive fituese, pa u futur në qeveri, dhe në këtë mënyrë të mos lejohet përçarje dhe ulje e “pazarit” në formimin e qeverisë.
Mesazhet që kanë filluar të vijnë edhe nga politikanë shqiptarë të rajonit janë të mendimit që shqiptarët duhet të mbeten të bashkuar me qëllim të realizimit të kërkesave të tyre legjitime për ta drejtaur edhe qeverinë e ardhshme.
Shqiptarët duhet të jenë të gatshëm dhe të bashkuar për çdo skenar, që nëse VMRO DPMNE dhe partitë tjera janë gati që të bashkohen për interesat e tyre, edhe shqiptarët t’i unifikojnë mandatet e tyre për interesat shqiptare. Mbështetja në këto momente është shumë e rëndësishme, prandaj si rrallëherë më parë, të gjithë shqiptarët duhet të sillen në mënyrë shumë korrekte dhe të mençur për të arritur qëllimin e tyre. /Zhurnal
Comments are closed for this post.