Sërish është krijuar deponia e egër në lagjen Potok të Tetovës. E njëjta kohë pas kohe ishte krijuar, por ndonjëherë banorët dhe Ndërmarrja publike komunale e kishin pastruar. Gjatë vitit të kaluar banorët e kësaj lagje ishin ankuar publikisht se mbeturina hidhen edhe nga lagje tjera duke krijuar në mes të lagjes së tyre një deponi të egër. Ditëve të fundit sërish është krijuar sasi e madhe e mbeturinave, ndërsa sipas banorëve, kohë më parë ishte vendosur një kontejner i madh për hedhjen e mbeturinave, por i njëjti është larguar ngase nuk ishte ndaluar hedhja e mbeturinave në atë vend. Nga ana tjetër, Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë ka vendosur një tabelë ku rikujton qytetarët që të mos hedhin mbeturina në këtë vend, por kjo nuk u ka bërë përshtypje shumë qytetarëve të pandërgjegjshëm që të mos t’i hedhin ato dhe të krijohet deponi e madhe e egër. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë thonë se deri tek kjo situatë vjen pasi që mbeturinat hidhen jashtë kontejnerëve të mëdhenj dhe është shumë vështirë që të transportohen me kamionë. Përveç mbeturinave të amvisërisë, banorët hedhin edhe mbeturina tjera inerte që e vështirëson më shumë punën gjatë pastrimit të të njëjtave. Banorët që jetojnë në këtë lagje thonë se mbeturinat me automjete të ndryshme sillen në këtë vend vite me radhë. “Ky vend nuk është deponi dhe mbeturinat pastrohen në kohë, por ka njerëz që nuk ndalen duke sjellë mbeturina sërish”, thonë banorët.

Kryesisht ankesat vijnë nga banorët e përkatësisë fetare ortodokse, ngase aty ndodhen edhe varrezat e tyre. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehet se punohet që ajo pjesë të rregullohet tërësisht dhe të mos lihet hapësirë për hedhjen e mbeturinave. “Punojmë intensivisht në rregullimin e asaj pjese që të krijohet një mjedis urban më i mirë duke vendosur edhe ndriçim publik, dhe kjo do të mundësojë që të kemi atë vend nën mbikëqyrje dhe normalisht të kemi një hapësirë sa më të përshtatshme për qytetarët”, thotë Teuta Arifi.

Përmes një peticioni, gjatë vitit të kaluar banorë të kësaj lagje kishin kërkuar që të vendosen kamera për siguri me qëllim që të kapen personat që hedhin mbeturina. Shumë herë banorët kanë ndërmarrë aksione vullnetare që të largojnë mbeturinat, por puna e tyre ka shkuar huq ngase mbeturinat sërish janë hedhur përgjatë rrugës kryesore në lagjen Potok. Banorët e kësaj lagje shumë herë kanë kërkuar që autoritetet komunale të merren më seriozisht me këtë problem, sepse sasi të mëdha të mbeturinave janë pjesë e përditshmërisë së tyre. Duke patur parasysh se varrezat ortodokse tashmë janë në kompetencë të Ndërmarrjes publike komunale, banorët e kësaj lagje kanë kërkuar përkrahje pikërisht nga kjo ndërmarrje që më shumë të kujdeset në këtë aspekt./koha.mk/