MSh-Maqedoni: 74% e rasteve të reja dhe 76% e atyre të shtruar në spital me Covid-19 janë të pavaksinuar
Ministria e Shëndetësisë publikon analizën e të vaksinuarve, nga rastet pozitive me Covid-19, në periudhën nga 6 gusht deri më 21 tetor.

Sipas MSh-së të vaksinuar janë personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.

Në periudhën nga 06.08 deri në 21.10.2021 në territorin e vendit, 42.945 qytetarë ishin pozitivë nga të testuarit për Covid-19, 26% e tyre ishin plotësisht të vaksinuar, pra 11.253 persona.

“Është numër i madh i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me Covid 19. Sipas statistikave për periudhën e kaluar 3.1692 qytetarë, përkatësisht 74% e personave pozitivë ndaj Covid-19 nuk janë vaksinuar. Përqindja e personave të shtruar në spital që nuk janë të vaksinuar është 76%, ndërsa vetëm 24% e të gjithë pacientëve të shtruar aktualisht janë plotësisht të vaksinuar.

Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është drastikisht më e lartë, tregon analiza. Në periudhën 6.08-21.10.2021 në territorin e vendit kanë vdekur 1.506 persona me Covid-19, 1.246 pacientë, pra 83% e të vdekurve nuk janë vaksinuar dhe vetëm 260, pra 17% kanë marrë vaksinën. Sipas analizës, viktimat kishin disa sëmundje kronike të kombinuara. Pacientët u vaksinuan me të gjitha llojet e vaksinave që janë në dispozicion”, thuhet në raportin e MSh-së.

Nga MSh thonë se analizat tregojnë se vaksinimi është shumë i rëndësishëm. Nga atje u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.