Në imazhe të publikuara sot nga ministria ruse e mbrojtjes tregohej ministri Sergei Shoigu që shoqërohej mes raketave dhe dronëve iranianë në ekzibicionin në Teheran.

Moska po përpiqet të forcojë aleancat e saj me vende që nuk preferohen nga Perëndimi si Irani, i cili është akuzuar edhe më parë se ka furnizuar Moskën me armë ofensive që ka përdorur në Ukrainë.

Sergei Shoigu erdhi dje në Teheran ku foli me lavde për aleancën dhe bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

“E konsideroj këtë takim si një hap forcimi i partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Iranit”, tha Shoigu gjatë takimit me kreun e forcave të armatosura të Iranit, Gjeneral Mohammad Bagheri.

“Sot ne kemi një mundësi për të diskutuar në detaje çështjet e bashkëpunimit tonë ushtarak bilateral. Irani është partner strategjik i Rusisë në Lindjen e Mesme,” citohej Shoigu nga agjencitë ruse.

Sipas tyre bisedimet përfshinin “zhvillimin e diplomacisë së mbrojtjes” dhe “menaxhimn e kërcënimeve të përbashkëta”, shkruante agjencia iraniane IRNA pa dhënë më shumë detaje.

Vizita e Shoigu vjen në kohën kur ministri i jashtëm kinez është në Moskë për katër ditë, si dhe pasi lideri koreano-verior Kim Jong Un erdhi në Rusi me tren duke kaluar përmes Lindjes së Largët.