Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet më shumë se 10 për qind, sigurojnë ministrat kompetentë.

Sipas tyre, oferta që ESM duhet t’ia japë furnizuesit universal EVN Home do të jetë në një nivel që nuk do të shkaktojë rritje të konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike. Sot pritet edhe SHA EMV të dorëzojë ofertën në thirrjen e hapur të EVN Home.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dje deklaroi se sipas të gjitha parashikimeve, nga 1 janari nuk pret që çmimi i energjisë elektrike të rritet për më shumë se 10 për qind.

“Sipas Ligjit për Energjetikën, çmimi i energjisë elektrike nga 1 janari për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 konfirmohet nga Komisioni Rregullativ i Energjetikës, por duke qenë se çmimi që EMV-ja do t’ia ofrojë furnizuesit universal ndikon shumë në çmimin final, rritje mbi 10 për qind nuk do të ketë. Kjo i hedh poshtë të gjitha parashikimet e ekspertëve të energjisë dhe të partive të caktuara politike se rritja do të jetë 30, 40 apo 50 për qind”, tha Bekteshi.

Edhe ministri i Financave Fatmir Besimi, tha se nuk do të ketë rritje të theksuar të çmimit të energjisë elektrike.

“Siç ishte paralajmëruar, do të ketë ofertë nga EMV për furnizuesin universal të energjisë elektrike, e cila me shumë pasa, sipas atyre vlerësimeve, do të jetë në një nivel që nuk do të shkaktojë rritje të konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike”, tha Besimi dje, nuk donte të llogariste me numra.

Me qëllim të stabilizimit të çmimit të energjisë elektrike, u vendos që EMV, në vend të 60 për qind të obligueshëm, të mbulojë 100 për qind të nevojave të EVN Home.

“Kemi marrë vendim që në vitin 2022 të dorëzojmë 100 për qind të energjisë në EVN Home dhe kjo do të thotë se kjo kompani nuk do të prokurojë sasi shtesë të energjisë që janë në bursë me çmime më të larta. Kështu, kompania jonë do të vazhdojë të mbetet stabilizues i çmimeve për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël”, tha të hënën drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski.