Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë vend në një vend që dëshiron të ecë përpara, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në shënimin e Ditës së Policisë së Maqedonisë – 7 majit.

Mickoski përgëzoi të gjithë policët për përkushtimin dhe guximin, duke dërguar mesazh se në vend nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia.

Ishte një kohë kur institucionet përdoreshin për interesa personale dhe politike, jo për drejtësi. Mesazhet “do ta rregullojmë” dhe “do të të telefonoj” ishin më të zhurmshme se ligji. Ajo kohë ka mbaruar. Dua të them sot publikisht dhe me zë të lartë se në këtë vend nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia. Ligji vlen për të gjithë, pavarësisht nëse është qytetar i thjeshtë, zyrtar apo biznesmen. Forca e shtetit nuk matet me privilegjet e individëve, por me atë se a ka arritur drejtësia tek të gjithë, më të fuqishmit dhe më të margjinalizuarit, tha Mickoski në ceremoninë në Qendrën për trajnime të MPB-së.

Kryeministri theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të bëhet me përkushtim të plotë dhe duar të pastra.

Sot dërgojmë një mesazh të fortë se nuk ka kompromis me krimin. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë vend në një vend që dëshiron të ecë përpara. Ne jemi të vendosur, si Qeveri, si institucione, por mbi të gjitha si shoqëri, që kjo luftë të bëhet me përkushtim të plotë, me partnerë të vërtetë dhe me duar të pastra. Ata thonë se drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por ajo kurrë nuk duhet të jetë e verbër. Detyra jonë është t’i hapim sytë – përmes policisë profesionale, etike dhe të pakorruptueshme. Policia që do ta ndjek krimin, pa marrë parasysh se a qëndron pas maskës, pozitës apo parave, tha Mickoski.

Ai ka nderuar punonjësit e policisë që tregojnë guximin e tyre çdo ditë me punën e tyre, por edhe për ata që humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Guximi i policëve tanë tregohet çdo ditë, në çdo ndërhyrje dhe patrullë, në çdo sakrificë të bërë për të na mbajtur të sigurt. Nuk mund të mos përkulemi para kujtimit të atyre që vulosën me jetë veprën e tyre. Emrat e tyre janë të gdhendur në histori, por veprat e tyre jetojnë në çdo ditë tonën të sigurt. Të mos harrojmë, pas çdo distinktivi qëndron një familje që pret, lutet dhe shpreson që i dashuri i tyre të kthehet në shtëpi, tha Mickoski.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i ka përgëzuar të gjithë policët në mbarë vendin, duke theksuar rolin e tyre kyç në sigurimin e sigurisë publike. Ministri theksoi kompleksitetin e kontekstit bashkëkohor të sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet policia.

“Kjo ditë ju kushtohet juve, të gjithë policëve anembanë Maqedonisë, njerëzve që profesionalisht kujdesen çdo ditë për sigurinë e qytetarëve, tha ministri, duke theksuar se të jesh polic nuk do të thotë vetëm të vesh uniformë, por edhe përkushtim për mbrojtjen e atdheut… Konteksti modern i sigurisë është kompleks, përballemi me sfida të mëdha dhe roli ynë sot është më i përgjegjshëm se kurrë, theksoi ai, duke shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme bashkëpunon me partnerët e shumtë dhe në rajonin evropian.