Kryeministri i Maqedonisë, Hristian Mickoski shpreson se Prokuroria Publike do ta merr në pyetje kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti lidhur me vendndodhjen e Artan Grubit.

Gjatë qëndrimit të djeshëm në Kosovë, Ahmeti ka thënë se “ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi ndodhet në hapësirat shqiptare dhe se do të kthehet në vend vetëm nëse nuk ka drejtësi hakmarrëse dhe selektive”.

“Unë shpresoj se kjo arrin te Prokuroria dhe ka procedurë juridike në të cilën, nëse kemi person që e di se ku gjendet një i arratisur nga ligji, do ta ftojnë atë person që ai të japë përgjigje në pyetjen se ku ndodhet i arratisuri i drejtësisë”, ka theksuar Mickoski.

Nga Prokuroria thonë se “Ali Ahmeti mund të ftohet në bisedë për të treguar lokacionin e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi”

“Prokuroria Publike ka lëshuar urdhra për shpalljen e fletëarrestit nacional dhe ndërkombëtar për personin e dyshuar. Organet e brendshme dhe ndërkombëtare janë të obliguara për zbatimin e urdhrave për të cilat i kanë të gjitha autorizimet”, thonë nga Prokuroria Publike.

Grubi nuk është i kapshëm për organet e drejtësisë, për më shumë se dy javë. Ai dyshohet për keqpërdorim në “Lotarinë Shtetërore”.

Javë më parë, Grubi është futur edhe në listën e zezë amerikane.