Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me ministren e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot para Qeverisë promovuan konceptin e ri të ndarjes së automjeteve – Car Sharing. Ky shërbim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transportit urban të qëndrueshëm dhe uljes së ndotjes në Maqedoni.
Mexhiti theksoi se Avant2Go është sistemi i parë plotësisht elektrik për ndarjen e automjeteve në Maqedoni, i cili bazohet në një infrastrukturë teknike të zhvilluar dhe sjell përfitime të shumta ekologjike, sociale dhe ekonomike për shoqërinë.
“Përdorimi i automjeteve elektrike nënkupton zero emisione të gazrave të dëmshëm, duke kontribuar drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ajrit, veçanërisht në zonat urbane. Për më tepër, automjetet elektrike janë shumë më të qeta se ato tradicionale, duke mundësuar një ambient më të qetë dhe më të shëndetshëm në qendrat e qyteteve. Sipas standardeve ndërkombëtare, një automjet car-sharing zëvendëson 10 deri në 15 automjete private,” tha Mexhiti.
Projekti është plotësisht në përputhje me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe kontribuon në përmbushjen e angazhimeve për tranzicionin klimatik, një aspekt kyç në procesin e integrimit evropian, shtoi zëvendëskryeministri i parë.
“Shërbimi Car Sharing sjell përfitime ekonomike për qytetarët, duke ulur nevojën për blerjen e një automjeti të dytë apo të tretë në familje.
Avant2Go nuk është vetëm një inovacion teknologjik, por një investim strategjik në të ardhmen ekologjike, të transportit dhe ekonomike të vendit. Ky projekt është një shembull i qartë se si inovacioni dhe qëndrueshmëria mund të bashkohen për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët,” deklaroi Mexhiti.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla si pjesë e përkushtimit të saj për krijimin e kushteve sistematike për tranzicionin e gjelbër në transport, energji dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Comments are closed for this post.