Një djalë i ri, banor indogjen i rajonit të Amazonës, i cili angazhohej për t’i mbrojtur pyjet nga prerja ilegale, është qëlluar për vdekje nga prerësit ilegalë. Merret vesh se ata edhe e kanë plagosur një person tjetër.

Paulo Paulino Guajajara u sulmua dhe u qëllua me armë në kohën kur kishte dalë për gjah në rajonin e Maranhao-s.

Ai ishte anëtar i grupit “Rojtarët e Pyllit”, i cili ishte formuar me qëllim të luftimit të prerësve ilegalë të pyjeve në zonën me rëndësi të veçantë për mjedisin.

Ky rast i vrasjes i ka shtuar shqetësimet për eskalimin e dhunës kundër mbrojtësve të pyjeve të Amazonës.

Grupi jofitimprurës “Survival International”, i cili merret me mbrojtjen e komuniteteve të izoluara, thotë se së paku tri roje pyjesh janë vrarë më parë për të njëjtën arsye.

Presidenti populist i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka qenë cak i kritikave të brendshme dhe ndërkombëtare për dështimin në mbrojtjen e territorit të rojeve në rajonin lindor të Amazonës.

Ai shpesh i ka përkrahur fermerët dhe prerësit, ndërsa në anën tjetër i ka kritikuar aktivistët për mbrojtjen e mjedisit dhe e ka përgjysmuar buxhetin e agjencisë mjedisore të Brazilit, shkruan “BBC”.