Vendi aktualisht ka 4.369 raste aktive me Covid-19. Autoritetet gjatë ditës së djeshme kanë regjistruar 672 raste të reja nga gjithsej 6.770 testime të realizuara brenda 24 orëve.

Varianti ri Delta gjithkund në botë po përhapet shpejtë, përfshi edhe tek të rinjtë. Mjekët thonë se ky lloj agresiv i virusit nuk po kursen as fëmijët nga mosha zero. Shifrat zyrtare në vendin tonë tregojnë se në valën e re dukshëm është shtuar numri i të prekurve edhe tek moshat minore.

“Sipas raportit të ISHP-së në periudhën 26 korrik – 1 gusht në mesin e të diagnostikuarve pozitiv më së shumti janë evidentuar në grup moshat 20-29 vjeçe, përkatësisht 22,1%. Megjithëse numri më i vogël i të prekurve aktualisht është nga mosha 0-9 vjeç ose 2,5%, në krahasim me javët tjera është shënuar një rritje drastike e këtyre grup moshave”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Autoritetet shëndetësore njoftuan se nga 3.497 qytetarë që kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 në shtatë ditët e fundit, respektivisht nga 6 deri më 12 gusht, 450 ose 12,8 për qind ishin plotësisht të vaksinuar, ndërsa 87,1 për qind ose 3.047 qytetarë pozitivë nuk ishin të vaksinuar. Ministria e Shëndetësisë në analizën për periudhën e përmendur regjistron se vdekshmëria është 100 për qind tek të pavaksinuarit, pra asnjë nga 25 viktimat nga Covid-19 që janë regjistruar brenda javës nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Përfshi ditën e djeshme, vaksinën gjithsej e kanë marrë 571.392 qytetarë, ndërsa janë rivaksinuar 462.192 qytetarë, gjithsej janë aplikuar 1 033 584 të vaksinës kundër COvid-19”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vendin tonë, që nga fillimi i pandemisë janë kryer 1.046.042 testime, prej tyre kanë rezultuar pozitive 160.571. Prej tyre, 150.670 pacientë e kanë fituar betejën me virusin Covid-19, ndërkaq jetën e kanë humbur 5.532.