Institucionet kulturore duket se do të mbeten të fundit që do të rinisin me punë, pas lehtësimit të masave nga koronavirusi. Deri sot akoma nuk ka një vendim se si duhet vepruar në të ardhmen. Aktori dhe drejtori i Teatrit Shqiptar Ylber Murtezi shprehet i shqetësuar sepse një pauze kaq e gjatë është në dëm të aktorëve.

“Në këtë rast Ministria e Kulturës duhet të na udhëzojë se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen dhe si do të vendosim. Personalisht, mendimi im është se nuk është problem publiku si do të sistemohet, pak problem më i vështirë do të jetë për shfaqjet teatrore që I kemi në repertuar ku pjesë e projekteve janë diku 10 deri në 15 aktorë. Besoj se do të gjejmë njëfarë mesi, njëfarë zgjidhje edhe për institucionet kulturore”- deklaroi Ylber Murtezi, drejtor i Teatrit Shqiptar.

Nga Galeria Kombëtare apelojnë sa më shpejtë të rifillojnë me punë sepse do të përballen me probleme financiare. Në këtë Institucion tashmë janë vendosur rregullat për mbrojtje nga pandemia.

“Këto katër muaj ne nuk kemi pas asnjë aktivitet, asnjë të hyrë në institucionin tonë. Mendoj se do të ballafaqohemi me shumë problem të cilat nuk mund ti parashikojmë”- tha Dita Starova Qerimi, drejtore e Galerisë Kombëtare.

Për shkak të koronavirusit, Qeveria më 12 mars vendosi të ndalojnë me punë teatrot, kinematë dhe muzetë ku mund të organizohen ngjarje kulturore me më shumë njerëz.