Maqedonia ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vlerësuar aktin si “përpjekje për të nxitur konflikt me pasoja mbi paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Artan Grubi, ka thënë se autoret duhet arrestuar dhe të vihen para përgjegjësisë, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

“Të papranueshme zhvillimet e paramenduara destabilizuese në veri të Kosovës ndaj policisë dhe shtetit por edhe të rajonit. Sulmi dhe vrasja e policit të Kosovës është tentativë për të nxitur krizë dhe konflikt me pasoja mbi paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë”, ka thënë ai.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjithashtu, e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjen e zyrtarit policor.

“Dënoj fuqishëm vrasjen e policit në detyrë në veri të Republikës së Kosovës stabiliteti dhe siguria e Kosovës nuk do të cenohet nga aktet e dhunës. Siguria e qytetarëve është e para”, është thënë në reagimin e Osmanit.