Ministri për Arsim dhe Shkenca, Arbër Ademi theksoi se po shqyrtohet dhe diskutohet nëse duhet të ketë maturë shtetërore për këtë vit.

Sipas tij, të gjithë opsionet janë të mundshme, nga shtyrja e maturës shtetërore deri në anulimi ndërsa shqyrtimi i vjen si pasojë e nismës së nxënësve të shkollës së mesme për anulim të maturës shtetërore.

“Disa herë kemi theksuar se po e ndjekim situatën dhe rrethanat, si dhe gjendjen në të cilën jemi. Të gjitha opsionet janë në tryezë. Disa herë kjo çështje është diskutuar në mbledhje të Qeverisë, por edhe në shtabin kryesor koordinativ. Nuk ka hapësira për shqetësim, për shkak se çdo vendim i yni do të jetë në interes të nxënësve tanë”, tha ministri Ademi.

Peticionin online deri tani e kanë nënshkruar 7.500 persona. Aty kërkohen heqja e maturës shtetërore për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe coronavirusit.