“Nga 25 për qind të foshnjave të lindura para kohe në vitin 2016, numri është zvogëluar dukshëm në vitin 2021 në 8,2 për qind. Pikërisht me furnizimin e pajisjeve më bashkëkohore, përkushtimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNFPA-së dhe UNICEF-it për zhvillimin e implementimit të planit për kujdes paranatal, arritëm zhvillim të dukshëm, gjegjësisht ulje të vdekshmërisë së foshnjave të lindura para kohe”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali në shënimin e sotëm të 17 nëntorit – Ditës Botërore të Prematuritetit, që u mbajt në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Shkup.

“Paralelisht, shënojmë edhe ulje të vdekshmërisë paranatale prej 14,8 për qind në vitin 2018 në 9,2 për qind në vitin 2021. Në KGJO gjatë periudhës së kaluar janë investuar 2,2 milionë euro për zhvillimin e trajtimit të grave shtatzëna dhe foshnjave të sapolindura. Vazhdojmë me investimet në përforcimin e kuadrit, duke e pasur parasysh specificitetin dhe sensitivitetin e kësaj veprimtarie. Me programin për specializim, vetëm për këtë vit janë paraparë gjashtë subspecializime të reja në KGJO, në më shumë fusha, gjithashtu, janë paraparë edhe tre specializime të reja”, theksoi Sali.

Drejtoresha e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Viktoria Jovanovska potencoi se edhe këtë vit Klinika me sukses e ka përmbyllur punën me vdekshmëri të zvogëluar të foshnjave të sapolindura.

“Zvogëlimi i vdekshmërisë së foshnjave i referohet angazhimit të madh para së gjithash të të gjithë personelit të trajtimit intensive dhe investimit serioz në pajisje dhe personel. Gjatë pesë viteve të kaluara janë investuar mjete të mëdha në pajisje. Klinika në mënyrë të suksesshme u përball edhe me pandeminë. Ajo që është e rëndësishme për këtë ditë është se madje edhe në kushte të pandemisë, Reparti për Trajtim Intensiv vazhdoi të punojë me sukses. Vitin e parë të pandemisë e kemi përfunduar me vdekshmëri prej 11 për qind të foshnjave të lindura para kohe që edhe përgjatë pandemisë të kemi ulje të vazhdueshme dhe sivjet është 8,2 për qind”, thotë dr. Jovanovska.

Dr. Renata Dimitriovska, drejtuese e repartit për trajtim intensiv dhe terapi në kuadër të KGJO-së potencoi se edhe krahas të gjitha arritjeve në pajisje dhe njohurive, prematuriteti ngelet problem global dhe arsye udhëheqëse për vdekshmërinë e fëmijëve deri në vitin e pestë, ndërsa fëmijët e mbijetuar akoma luftojnë me komplikime të rënda për shëndetin.

Elizabeta Petkovska, drejtuese e Repartit për Trajtim Special në KGJO në fjalimin e saj potencoi se edhe gjatë kohës së COVID-19 kanë arritur të vendosin edhe një skrining për fëmijët, ndërsa vazhdojnë edhe me planifikimin dhe ndjekjen e këtyre fëmijëve.