Me dy avion transportues luftarak sot në ora 9 nga Bullgaria pritet që të arrijnë në aeroportin e Shkupit trupat e pajetë të 45 udhëtarëve të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të 23 nëntorit në autostradën “Struma”, në afërsi të qytetit të Pernikut në Bullgari.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, që po angazhohet me sjelljen e trupave të tragjedisë së Bullgarisë, nëpërmjet një statusi në Facebook ka bërë me dije se gjatë ditës do të ndryshojë orari i pritjes së kufomave.
Ai njofton se pas transportit në aeroportin e Shkupit, me kërkesë të disa familjarëve, kufomat do të dërgohen në shtëpitë e tyre ose në varreza në mënyrë që të mbërrijnë para namazit të Xhumasë.
Më herët nga MPJ-ja ishte njoftuar se viktimave do të priteshin me homazhe në sheshin “Skënderbeu” në Shkup ku do të vendoseshin edhe kurora me lule në nder të tyre. Ndërsa i gjithë procesi i mbërritjes së viktimave nga aeroporti i Shkupit do të bëhej live nëpërmjet një ekrani gjigand po në këtë shesh. Por mesa duket, familjarët e tyre nuk kanë qenë dakord me këtë agjendë shtetërore dhe kanë kërkuar që trupat t’u dorëzohen direkt familjarëve.
Comments are closed for this post.