Gjykatësit kushtetues sot pas përfundimit të seancës së XII kanë mbajtur takim pune, në të cilin e kanë shqyrtuar iniciativën e gjykatësit Osman Kadriu, rreth kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit.

Pas diskutimit, gjykatësit njëzëri vendosën që nuk ka kushte dhe baza për pranimin e iniciativës, gjegjësisht anulimin e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit dhe kthimin e sërishëm të tij.

Vendimi i sotëm i gjykatësve është i tillë, pasi siç thonë, tashmë Gjykata Kushtetuese është deklaruar në lidhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit në seancën e mbajtur më 8 dhe 15 prill 2020.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë u vetshpërnda në muajin shkurt pasi u shpallën zgjedhje të parakohshme, të cilat duhej të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të përhapjes së epidemisë Covid-19.

Ndërkohë, edhe LSDM ka nisur iniciativë me mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve, në mënyrë që Kuvendi t’i kthehet punës, por deri sot kjo iniciativë nuk është pranuar nga kryetari Talat Xhaferi.