Ligjet të cilat Presidenti Gjorgje Ivanov ka refuzuar për ti nënshkruar, do të duhet sërish që të hyjnë në procedure kuvendare dhe të miratohen me më së paku 61 deputet, me çka ai do të jetë i obliguar të nënshkruaj hyrjen e tyre në fuqi. Nga 1 prilli Kuvendi nuk do të debatojë për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, ashtu që ligjet do të duhet deri atëherë të gjenden në procedurë kuvendare. Për momentin kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi është në udhëtim zyrtar në Romani dhe Lituani, pas kthimit të tij do të dihet saktësisht se kur do të vihen në rend dite.

Presidenti Ivanov siç ka informuar mbrëmë pres-qendra kuvendare, ka refuzuar të nënshkruajë gjashtë ligjet të miratuara më 28 shkurt dhe pesë më 4 dhe 6 mars të vitit 2019. Ivanov, sipas shqyrtimit që e ka dorëzuar deri në Kuvend, nuk ka nënshkruar pasi për të ndërmarrë një veprim të tillë, gjithmonë ka vepruar sipas deklaratës që është betuar se do ta mbrojë Kushtetutën, dhe siç thotë ai, do ti mbrojë interesat e shtetit të Republikës së Maqedonisë.