Drejtori i Agjencisë për zbulim Erold Musliu në seancën e sotme i ka informuar anëtarët e Komisionit të Kuvendit për mbikëqyrje ndaj punës së Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim dhe të Agjencisë për zbulim se do të miratohet ligj i ri për Agjencinë për zbulim, në vendin e atij aktual që është nga viti 1995, e sipas rekomandimeve të NATO-s, duhet të miratohet deri nga fundi i këtij viti.

Kryetari i Komisionit për mbikëqyrje të punës së DSK dhe të Agjencisë për zbulim, Trajko Veljanovski informoi se kanë rekomanduar të përfshihen të gjitha subjektet politike, posaçërisht opozita në përgatitjen e ligjit të ri dhe të miratohet me konsensus, për shkak se, potencoi, është me rëndësi që reformat që bëhen lidhur me sigurinë, të miratohen me konsensus.

Në fund të tetorit ose në gjysmën e parë të nëntorit, varësisht nga terminet dhe aktivitetet kuvendore të Komisionit, do të bëhet mbikëqyrje mbi punën në Agjenci, informoi Veljanovski pas përfundimit të seancës, ku drejtori i Agjencisë për zbulim referoi për zgjidhjet kadrovike, si dhe për punën e tërësishme.

“Mbikëqyrja është në pajtim me autorizimet që i ka Komisioni. Disa pyetje të caktuara që janë parashtruar dhe përgjigjet e dhëna do të mund të kontrollohen në vend”, deklaroi kryetari i Komisionit të Kuvendit. .