Kryeshefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, sot në selinë e NATO-s në Bruksel mori pjesë në konferencën e Komitetit ushtarak të NATO-s në formatin e kryeshefave dhe shtatmadhorive.

Siç informuan pasdite nga Shtatmadhoria, nga ana e tij është theksuar se ndërveprimi mbetet kyç për gatishmërinë e NATO-s.

“Përmes realizimit të qëllimeve dhe bashkëpunimit tonë me aleatët, ne i mbështesim përpjekjet e NATO-s për përgjigje të kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme”, ka thënë gjenerali Lafçiski.

Në lidhje me pjesëmarrjen e Armatës sonë në misionet e udhëhequra nga NATO, ai theksoi përcaktimin e qartë për gatishmërinë e forcave të armatës, si dhe përcaktimin për solidaritet ndaj aleatëve përmes pjesëmarrjes në misione për kthim adekuat, të udhëhequra nga NATO.

“U theksua se ushtarët e Maqedonisë në mënyrë aktive marrin pjesë në misionet e NATO-s në krahun lindor të Aleancës, më Rumaninë dhe Letoninë. Në këtë rast u theksua edhe roli i Armatës sonë në trajnimin kolektiv të NATO-s përmes pjesëmarrjes sonë në stërvitjet e udhëhequra nga NATO”, citohet në kumtesë.

Kryetari i Komitetit ushtarak, admirali Xhuzepe Kavo Dragone, deklaroi se qëllimi i takimit ishte të nxirrte në pah qasjen gjithëpërfshirëse të Aleancës në adresimin e sfidave globale përmes unitetit dhe bashkëpunimit. Ai theksoi se sfidat aktuale të sigurisë kërkojnë investime në kohë dhe burime, duke deklaruar se “të investosh më shumë, jo të shpenzosh më shumë, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes tani dhe në të ardhmen”.

Konferenca e Komitetit ushtarak është realizuar në disa sesione.

“Së pari, komandanti i Komandës supreme të aleatëve për Evropën i NATO-s, gjenerali Kristofer Kavoli, i informoi shefat e shtatmadhorive mbi përpjekjet e vazhdueshme të Aleancës për të forcuar mbrojtjen dhe parandalimin kolektiv. Gjatë këtij sesioni, kryeshefat e vendeve anëtare të Aleancës shkëmbyen pikëpamje mbi misionet dhe aktivitetet aktuale të NATO-s, si dhe për ndihmën dhe trajnimin e NATO-s për sigurinë në Ukrainë. Më pas, komandanti i Komandës supreme të Aleancës për transformimin e NATO-s, admirali Pjer Vandier, informoi rreth planifikimit të mbrojtjes së NATO-s dhe mundësive për inovacion dhe sfida. Në sesionin kushtuar Ukrainës u diskutua agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës, situata në terren dhe mbështetja e vazhdueshme e NATO-s për Ukrainën”, shtohet në kumtesë.

Nga Shtatmadhoria informojnë se konkluzionet e takimit do të publikohen gjatë ditës së sotme në konferencën për media, ku do të mbajë fjalim kryesuesi i Komitetit ushtarak, admirali Dragone.

“Në konferencën e Komitetit ushtarak, përveç përfaqësuesve të 32 vendeve anëtare të NATO-s, morën pjesë edhe komandatët e Komandës Supreme të Aleatëve të NATO-s për Evropën dhe Komandës Supreme të Aleatëve të NATO-s për Transformimin. Ky organ takohet në formate të ndryshme dhe formati më i lartë është në nivelin e kryeshefave të shtatmadhorive, i cili zakonisht takohet tre herë në vit, dy herë në selinë e NATO-s dhe një herë në një vend anëtar të Aleancës”, shtohet në kumtesë.