Në Kuvend sot duhet të vazhdojë mbledhja e 88-të në të cilën do të diskutohet për zgjedhjen e Penovit për ministër të Vetëqeverisjes Lokale dhe për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues.
Propozimi që Penov të jetë ministër i Vetëqeverisjes Lokale vjen pasi që bashkëpartiaku i tij Goran Milevski dha dorëheqje nga funksioni për shkaqe personale..
Kryeministri Dimitar Kovaçevski të martën nga foltorja e Kuvendit tha se është i bindur se Qeveria me Risto Penovin në fushën e Vetëqeverisjes Lokale do të bëjë shumë më tepër në politikat strategjike edhe në nivel qendror edhe në atë lokal.
“Bëhet fjalë për resor të rëndësishëm për komunat tona të cilat një vit shohim se ndodhen në probleme, të cilat i udhëheqin kryetarë të paaftë të komunave. Propozoj njeri të duhur, në vend të duhur, në kohë të duhur. Zotëri Risto Penov është sinonim për kryetar të suksesshëm të komunës, për punë të palodhshme, për rezultate dhe sukses. Ai është konfirmim për modesti, ndershmëri dhe punë. Ai është njeri i cili bashkëpunon dhe ka vizion. Për të më mirë flasin projektet kapitale në Shkup, rrugët, urat, infrastruktura, kilometra rrugë të reja, trotuare, sheshe të reja, mbështetje të bizneseve lokale dhe kulturës”, tha Kovaçevski.
Gjatë ditëve të kaluara, opozita dhe pushteti dolën me qëndrime të kundërta. Sipas të parëve, pushteti me këtë propozim bën defokusim të opinionit nga problemet e vërteta dhe në vend se të ofrojë zgjidhje për krizën ekonomike dhe energjetike dhe t’u ndihmojë qytetarëve, ajo propozon ministër të ri, për të cilin nuk besojnë se është zgjidhje e mirë. Për deputetët nga partitë në pushtet, Penov është zgjidhje e mirë dhe kërkuan mbështetje nga deputetët opozitarë.
Në mbledhjen e sotme, si pikë e dytë është zgjedhja e dy gjykatësve kushtetues për të cilët debati përfundoi dhe duhet vetëm të votohet. Dje, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në takim me gazetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve nëse deri më tani ka pasur rast të këtillë në mbledhje plenare të vendoset pika për të cilën debati nuk ka përfunduar në komision, tha se për kandidatët për gjykatës kushtetues votohet individualisht, por edhe se në vitin 2012 për Buxhetin raportin nga mbledhja e komisionit e ka nënshkruar shumica.
Kjo mbledhje, në të cilën në rend dite janë edhe ligjet lidhur me masat për përballje me krizën energjetike dhe ligjet për shoqata dhe fondacione dhe për parti politike, sipas Xhaferit, do të duhej të vazhdojë të hënën.
Comments are closed for this post.