Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Sëmundje Infektive shqyrtoi situatën aktuale epidemiologjike në vend dhe konstatoi se gjendja me Covid-19 është stabile, nuk ka rritje të rasteve pozitive, të të shtruar dhe të vdekurve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Qëndrimi i Komisionit është se katër masat, të cilat janë aktuale dhe janë ende në fuqi, si: mbajtja e maskës në objektet shëndetësore, farmaci, transport publik dhe shtëpi për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta, korrespondojnë me gjendjen aktuale epidemiologjike dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Sa i përket infeksionit me virusin RSV-respirator sincicial, është konstatuar se situata është stabile, nuk ka rritje të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital, si dhe ambientet spitalore plotësojnë nevojat për kujdes shëndetësor për fëmijët me simptoma.

Nga Komisioni theksojnë se vijon të monitorojë situatën me sëmundjet infektive në vendin tonë dhe nëse ka nevojë për rekomandime të reja, do të informojë në kohë.