Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, priti sot në Tiranë ministren e Punëve të Jashtme e Republikës së Finlandës, Elina Valtonen.

Hasani vuri në dukje se turi ballkanik i Valtonen është tregues i vëmendjes së veçantë të Finlandës për rajonin.

Ai theksoi se veç dakordësisë për forcimin e bashkëpunimit, palët konstatuan se ka potencial të madh për forcimin e marrëdhënieve në tregti dhe investime.

Ministri Hasani u ndal edhe tek procesi i integrimit në BE të vendit, duke theksuar se Shqipëria ka bërë progres në zbatimin e agjendës së reformave.

“Finlanda mbetet mbështetëse e palëkundur në rrugëtimin tonë drejt BE-së”, u shpreh ai.

Hasani theksoi se në takim riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës.

Ai vuri në dukje se Presidenca e ardhshme finlandeze e OSBE-së është moment për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, nga ana tjetër, deklaroi se marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Finlandës janë të shkëlqyera, ndërsa presin krijimin e lidhjeve të tjera të reja edhe më të fuqishme, me synim që të forcohet bashkëpunimi në fushën e ekonomisë.

“Shpresojmë që të ofrojmë dhe të jemi aktiv në mbështetjen tonë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe si aletatë ne do të fokusohemi tek siguria dhe presim të mbulojmë fusha të tjera në të ardhmen si energjia e rinovueshme, si dhe të kemi zgjerim të bashkëpunimit midis komuniteteve tona dhe veçanërisht për rininë në të dyja vendet tona”.

Ajo vuri në dukje se forcimi i bashkëpunimit mes të dyja vendeve duhet të shihet me mjaft përfitim.

“Ballkani Perëndimor është në zemër të Europës dhe në kushtet aktuale ne kemi nevojë që të punojmë akoma më intensivisht. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të përforcojnë lidhjet dhe të vijojnë bashkëpunimin ekonomik. Është mjaft e rëndësishme që të gjitha këto vende të plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e BE-së” u shpreh Valtonen.

Valtonen tha se gjatë takimit me ministrin Hasani diskutuan gjithashtu edhe për rolin e rëndësishëm të OSBE-së dhe forcimin e institucioneve dhe zbatimin e shtetit të së drejtës.

“Të gjitha këto do të jenë në përfitim të qytetarëve dhe vendeve tona”, tha ajo.