Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, ndodhet në vizitë pune disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me kryeministrin Kovaçevski në SHBA është edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Në kuadër të vizitës, kryeministri Kovaçevski në Nju Jork do të ketë takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, Forumit Ekonomik Botëror dhe Bankës Botërore, me përfaqësues të kompanive shumëkombëshe dhe komunitetit të biznesit maqedonas në SHBA, si dhe me përfaqësues nga Bashkimi Evropian.

Ndër takimet e planifikuara janë takimet me Drejtorin Menaxhues të Forumit Ekonomik Botëror, Mirek Dushek, me Drejtoren Menaxhuese të Bankës Botërore, Anna Bjerde, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në fokus të bisedimeve është zhvillimi ekonomik i Republikës së Maqedonisë, partneriteti Atlantik, perspektivat evropiane dhe rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Maqedonisë dhe SHBA-së në të gjitha këto procese të rëndësishme për cilësinë e jetës së qytetarëve të Maqedonisë.

Në kuadër të vizitës së punës në SHBA, kryeministri Kovaçevski do të marrë pjesë edhe në pritjen në përkujtim të 50 vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara. Kujtojmë se në fund të gushtit, për vizitë në Maqedoninë erdhi, zëvendës ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Gabriel Eskobar, ku zhvilloi takime me krerët e lartë të vendit. Vizita e Eskobarit erdhi pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për miratimin e amendamenteve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë seancën e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me BE-në. Rendi i ditës i seancës u miratua me 70 vota “pro”, dhe pas shterjes së diskutimit për propozim-vendimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e shtyu votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretave. Në korrik të këtij viti, Escobar, në paraqitjen e tij para Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, deklaroi se administrata amerikane po punon me autoritetet në Sofje në mënyrë që Bullgaria të mos japë kushte dhe kërkesa të reja pasi Maqedonia të përmbushë detyrimet e saj nga marrëveshjet ekzistuese.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet. Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RM-së rrezikon të bllokohet përsëri.