Një sasi prej rreth 400 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Policia në Lipjan të Kosovës. Burime për tvklan.al thonë se droga ishte e fsheshur në një kontenier me mish dhe mbahej nën vëzhgim, deri në mbërritjen në destinacionin e saj final.

Kapja e kësaj sasie mësohet se u bë në bashkëpunim me DEA-n amerikane, autoritetet italiane, ato shqiptare e kosovare.

Ngarkesa dyshohet se ishte nisur nga Brazili, kishte pasur një ndalesë në Itali dhe më pas në Portin e Durrësit ku ishte mbajtur nën vëzhgim. Pas kësaj, kontenieri kishte udhëtuar drejt Kosovës, ku dhe u bë kapja e saj. Deri në këto momente nuk ka ende një komunikim zyrtar, qoftë nga autoritetet kosovare, qoftë nga ato shqiptare.

Gazetarja Blerta Dalloshi, në një lidhje direkte me Klan News, tha se deri më tani nuk ka arritur të marrë një konfirmim zyrtar nga autoritetet në Kosovë për sasinë e kokainës që është sekuestruar.

“Për fat të keq ende policia e Kosovës nuk ka konfirmuar asgjë lidhur me këtë sasi të drogës që raportohet se është konfiskuar në Kosovë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se është jashtë Prishtinës dhe brenda gjysmë ore, kur të kthehet pritet që të konfirmojë nëse ka ndodhur një rast i tillë. Ndërsa zyrtari tjetër për informim ka thënë se gjendet në ditë të pushimit dhe nuk ka asnjë njohuri. As zëdhënësi i Doganave të Kosovës nuk ka mundur të konfirmojë asgjë lidhur me këtë lajm. Për fat të keq nuk kemi asgjë zyrtare të konfirmuar nga Kosova për këtë çështje”, u shpreh gazetarja.

Ndërsa nga Durrësi, gazetarja Enkelejda Arapi, duke cituar burime nga porti i qytetit bregdetar, tha se kontenieri ishte mbajtur nën vëzhgim prej gati 2 muajsh.

“Nga ana e autoriteteve shqiptare, pikërisht nga Porti i Durrësit mësohet se sasia e lëndës narkotike mbahej nën monitorim prej afro dy muajsh. Kishte ardhur një informacion në rrugë jo zyrtare ku thuhej se në një kamion që do të ishte i ngarkuar me mish do të transportohej edhe lëndë narkotike e llojit kokainë. Në fakt autoritetet kanë qenë në alarm që prej momentit që kanë marrë informacionin dhe çdo kamion apo kontenier i mbërritur në Portin e Durrësit është mbajtur nëm vëzhgim, ku dhe më herët janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike”, tha gazetarja/tvklan.al

T