Koreja e Jugut do t’i dërgojë Koresë së Veriut 50.000 tonë oriz dhe 4,5 milionë dollarë për të ndihmuar në lehtësimin e mungesave në ushqime, bëri të ditur World Food Program (WFP) i OKB-së.

”Kjo sasi është dhurimi më i madh i Koresë së Jugut drejt asaj të Veriut që nga viti 2008”, tha WFP në një deklaratë duke shtuar se ky veprim do t’u vinte në ndihmë rreth dy milionë fëmijëve, grave shtatzëna dhe nënave.

Muajin e kaluar, WFP raportoi se prodhimi ushqimor në Korenë e Veriut kishte rënë në nivelin më të ulët në 10 vjet duke vënë miliona njerëz në rrezik urie.

Ekspertët e bujqësisë dhe ushqimit të OKB-së vizituan vendin e izoluar komunist në muajt mars dhe prill dhe zbuluan se rreth 10 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm deri në korrjen e ardhshme.

‘’Në disa zona rurale, 43% e njerëzve janë të kequshqyer dhe një në pesë fëmijë vuan nga rritja e ngadaltë sepse nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë’’, tha WFP.