Policia e Kosovës ka publikuar pamje të operacionit policor të realizuar në veri të Kosovës ku u mbyllën institucione paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale të serbëve të Kosovës, për të cilat autoritetet njoftuan se funksiononin nën direktiva të Serbisë.

“Pamje nga operacioni policor i realizuar më 30.08.2024 në veri të Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës”, shkruan Policia krahas pamjeve.

Në pamjet shihet se policia ka konfiskuar dokumente, para dhe kompjuterë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.