Në shtet mungojnë 356 zjarrfikës që të arrihet minimumi i caktuar me ligj, ndërkaq mosha mesatare e automjeteve zjarrfikëse është 28 vite, tregon hulumtimi të cilin e përpunoi Qendra për komunikime qytetare.

Më së shumti zjarrfikës, mbi 200, i mungojnë Shkupit, pas çka pasojnë Tetova, ku mungojnë 65 zjarrfikës dhe Gostivari me 52 zjarrfikës më pak se të paraprit me ligj. Në Kumanovë mungojnë 49 zjarrfikës, në Manastir 32 dhe në Prilep 26 zjarrfikës.

Mes komunave me më shumë zjarrfikës se sa minimumi i paraparë me ligj janë Ohri dhe Resnja, të cilat kanë vetëm nga dy zjarrfikës më shumë se numri i caktuar minimal, si dhe Demir Hisari dhe Krusheva – me nga një zjarrfikës mbi minimumin.

Gjashtë komunat me numër të njejtë të zjarrfikësve sa minimumi ligjor janë Shtipi, Radovishi, Dellçeva, Makedonski Brodi, Probishtipi dhe Kratova.

Në pajtim me Ligjin për zjarrfikje, numri minimal i zjarrfikësve profesionistë në njësitë zjarrfikëse duhet të jetë nëntë zjarrfikës në komunat me deri 10 mijë banorë, 13 zjarrfikës në komunat prej 10 deri 15 mijë banorë dhe 17 zjarrfikës në komunat të cilat kanë nga 15 deri 24 mijë banorë. Në komunat të cilat kanë mbi 24 mijë banorë, në pajtim me ligjin, duhet të ketë një zjarrfikës profesionist në 1.500 banorë.

Lidhur me automjetet që i posedojnë njësitë zjarrfikëse në vend, hulumtimi tregon se njësitë zjarrfikëse disponojnë me gjithsej 241 automjete me moshë mesatare prej 28 viteve.

“Kjo do të thotë se automjetet që janë marrë ndërkohë nuk kanë qenë të reja dhe nuk e kanë “rinuar” auto parkun zjarrfikës në vend. Përkundrazi, gjatë vitit 2019 njësitë zjarrfikëse në vend e kanë rritur numrin e automjeteve për 26, por mosha e tyre mesatare paraqet madje 18 vite. Gjatë vitit të njejtë, janë prishur 5 automjete të vjetra. Ndërkohë nga hulumtimi i vitit të kaluar i cili tregoi gjendje shqetësuese të automjeteve zjarrfikëse në vend, me automjete “të reja” janë pajisur vetëm njësitë zjarrfikëse në Prilep (dy automjete të reja prej vitit 2019) dhe në Demir Hisar (një automjet prej vitit 2017)”, thonë nga Qendra për komunikime qytetare.

Automjete më të vjetra kanë Kratova dhe Dellçeva, ndërsa më të reja Velesi dhe Demir Hisari.

Automjete më të vjetra, mesatarisht 35 vite, ka njësia zjarrfikëse në Kratovë, e cila prej vitit të kaluar e ka zgjeruar auto parkun vozitës, por me automjete të vjetra. Me moshë të njejtë mesatare të automjeteve prej 35 viteve është edhe njësia zjarrfikëse nga Dellçeva, ndërkaq menjëherë pas tyre në vendin e tretë sipas moshës mesatare të automjeteve është Strumica, me 33 automjete. Me moshë mesatare të automjeteve zjarrfikëse prej 32 viteve janë Ohri dhe Kriva Pallanka, ndërsa mesatarisht nga 31 vite të vjetra janë automjetet zjarrfikëse të Kumanovës dhe Manastirit. Automjete më të vjetra zjarrfikëse, prej vitit 1966 kanë Vallandova dhe Strumica.

Në kundërshtim me këtë, auto park më të ri, mesatarisht nga 20 vite, kanë njësitë zjarrfikëse në Veles dhe Demir Hisar. Mes më të mirëve janë edhe Berova me 21 dhe Prilepi me 22 moshë mesatare të automjeteve zjarrfikëse.

Komuna me më pak automjete zjarrfikëse janë Makedonski Brodi, ku ka vetëm dy automjete, si dhe Demir Hisari, Berova dhe Delleçeva ku ka nga tre automjete zjarrfikëse.