Nga Gabriele Carrer & Emanuele Rossi “Formiche.net”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Në qarqet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, po rritet gjithnjë e më shumë shqetësimi mbi operacionet e mundshme sabotuese, veçanërisht nga Moska, të infrastrukturave jetike që ndodhen të pozicionuara në shtratin e detit.
Siç kemi raportuar më herët, një kabllo nënujore që lidh Ishujt Faroe me Skocinë kontinentale nëpërmjet ishujve Shetland dhe Orkney, u dëmtua në 2 vende javën e kaluar, duke lënë pa lidhje interneti shumicën e ishujve. Ndërkohë në jug të Francës, u prenë 3 kabllo të tjera që lidhin qytetin e Marsejës me Lionin, Milanon dhe Barcelonën.
Autoritetet franceze dyshojnë për një akt sabotimi. Ndërsa ato në Skoci, më të kujdesshme në qasjen e tyre, fajësojnë për defektin aktivitetet e anijeve të peshkimit në thellësi të detit. Në një analizë të kohëve të fundit për ISPI, Justin Sherman, ekspert në “Atlantic Council” theksoi se “shpeshherë qeveritë perëndimore e konceptojnë internetin si diçka abstrakte si një hapësirë kibernetike, duke harruar se funksionimi i saj varet në fakt nga një infrastrukturë fizike”.
Në këtë mënyrë ata rrezikojnë të nënvlerësojnë kërcënimet e autokracive, të tilla si Kina (me projeksionin e saj të ndikimit në dhe përmes internetit) dhe Rusisë (që i merr parasysh aq shumë elementët fizikë të hapësirës kibernetike, saqë preu kabllot optike tokësore kur aneksoi në mënyrë të njëanshme Krimenë në vitin 2014).
Gjatë muajve më të fundit, është arritur më në fund një marrëveshje politike midis Parlamentit Evropian dhe Shteteve Anëtare për direktivën e re “NIS 2” për sigurinë kibernetike, të propozuar nga Komisioni Evropian që në dhjetorin e vitit 2020.
Ajo do të përfshijë edhe kabllot nënujore, në të cilat kalon 97 për qind e trafikut të internetit dhe 10 miliardë dollarë transaksione financiare çdo vit. “Shumë ministra të mbrojtjes në NATO dhe Bashkimin Evropian por edhe ekspertë, kanë paralajmëruar për operacione të dyshimta ruse kundër kabllove me fibra optike nënujore”- shpjegoi raportuesi Bart Groothuis për Formiche.net.
“Frika është se ata mund ta vendosin veten në pozicionin për t’i sabotuar. Dhe Rusia ka kryer tashmë dy teste për t’u shkëputur nga interneti global”- shtoi ai duke iu referuar përpjekjeve të qeverisë së Moskës për të testuar teknologjinë për një “internet sovran”.
Megjithatë, do të ishte e gabuar që vetëm Rusia dhe Kina të konsiderohen të afta për të kryer operacione sabotazhi. Për shembull, në Gjirin Persik vigjilenca ka rënë ndaj aty nevojiten forca edhe më pak të sofistikuara se ato të Rusisë apo Kinës. Në fakt thellësia maksimale arrin maksimumi në 100 metra.
Kjo mundëson forma më pak të kushtueshme të sulmeve nëpërmjet minave, pajisjeve detare të improvizuara shpërthyese (MIED) apo edhe mini-nëndetëseve. Mjafton të thuhet se në vitin 2013 roja bregdetare egjiptiane arrestoi 3 zhytës që po përpiqeshin të prisnin një kabllo në brigjet e Aleksandrisë.
Siç e thekson edhe një raport i fundit nga Qendra e Informacionit Euro-Gulf, Marina e Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (Sepah) i plotëson këto kërkesa. Në fakt, në dallim nga marina e rregullt iraniane, ajo është specializuar në këtë lloj aktiviteti, edhe nëse ato paraqesin disa probleme kritike, duke pasur parasysh varësinë e Iranit nga kabllot e lidhura me vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, pra nga objektivat e mundshëm.
Në majin e vitit 2020, gjatë një parade të mjeteve detare të seksionit detar të Sepah, u vu re edhe një nëndetëse e drejtuar nga distanca (Unmanned Underwater Vehicle, UUV). Në atë kohë ishte një prototip, por duke marrë parasysh shpejtësinë e evolucionit me të cilin iranianët po zhvillojnë arsenalin e tyre, ai tashmë mund të jetë funksional.
Për këtë mjafton të shihni nivelin teknologjik të arritur nga dronët e blerë nga Rusia të përdorur në Ukrainë. Mjeti mbante në njërin krah sloganin Khomeinist “Ne mundemi”, dhe pikërisht në bazë të këtyre aftësive sipërfaqësore dhe nëndetare, një nga pikat nevralgjike më të rëndësishme në botë, Ngushtica e Hormuzit, preket vazhdimisht nga aktivitetet e sigurisë detare.
Pasi ajo është një vendkalim për një pjesë të madhe të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që del nga Gjiri Persik dhe tregtohet nëpër botë. Por ky rajon është gjithashtu një kryqëzim i madh i autostradave dhe të dhënave ndërkontinentale, me një trafik të rëndësishëm informacioni që kalon përmes kabllove me fibra optike nënujore dhe nyjeve bregdetare.
Siguria detare e zonës menaxhohet si nga vendet bregdetare, po ashtu edhe nga misionet ndërkombëtare si Koncorciumi Ndërkombëtar i Sigurisë Detare, i udhëhequr nga SHBA-ja “Sentinel” apo “Emasoh” evropian, në të cilin merr pjesë edhe Italia.
Nëse deri tani vëmendje i është kushtuar aktiviteteve sipërfaqësore – që në të kaluarën kanë qenë objekt i sabotimit të kryer nga njësitë elitare të SEPAH – tashmë po rritet vëmendja ndaj dominimit në thellësitë e deteve dhe oqeaneve. Një tendencë që në këtë periudhë po zgjerohet në të gjitha zonat, ku janë aktive marinat e disa vendeve, përfshirë edhe Italinë.
Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar vazhdimisht se nëse sulmohen, do ta bllokojnë Ngushticën e Hormuzit. Është plotësisht e mundshme që me të njëjtat aftësi për të përdorur mjete sipërfaqësore me synim drejtimin e fluksit detare në Gjirin Persik, tani Irani do të jetë në gjendje t’i përdorë ato për të këputur kabllot nënujore duke e izoluar rajonin nga lidhjet e internetit.
Nga ana tjetër, aksidente të tilla kanë ndodhur tashmë në këtë zonë. Për shembull në vitin 2008, kur kablloja “Falcon” u dëmtua pranë Bandar Abbas në janar të këtij viti, dhe midis Muscat dhe Dubait në muajit shkurt. Po në shkurt u ndërpre edhe lidhja kabllore “Doha-Halul”. /abcnews.al
Comments are closed for this post.