Japonia ka vendosur të lejojë deri në 10 mijë tifozë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që zhvillohen muajin e ardhshëm. Tifozët pjesëmarrës janë të gjithë vendas, pasi të huajt ishin ndaluar që më parë të ndiqnin turneun. Numri maksimal i të pranishmëve do të jetë 10 mijë, por në asnjë rast nuk do të lejohet të kalojë 50% të kapacitetit të stadiumit.

Olimpiada do të nisë më 23 korrik, ndërsa Lojërat Paralimpike një muaj më vonë. Spektatorët për eventin e personave me aftësi të kufizuara do të konfirmohen brenda datës 16 korrik.

Frika në Japoni është se grumbullimi i njerëzve mund të kthejë rritjen e rasteve me koronavirus. Javën e kaluar, kryeministri Yoshihide Suga i paralajmëroi bashkëkombësit e tij t’i ndjekin lojërat nga televizori.

Gjendja e jashtëzakonshme në Tokio u shfuqizua vetëm të dielën, 5 javë para nisjes së Olimpiadës. Të shtunën, një sportist nga Uganda, ishte i pari që rezultoi pozitiv në testin e Covid-19, pasi mbërriti në Japoni.