Pas paralajmërimeve për zgjedhje të parakohshme ku do të zbatohet i ashtuquajturi modeli i Përzhinos për Qeveri teknike 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, kryeministri Zoran Zaev, ashtu edhe siç paralajmëroi pas takimit të liderëve do të dorëhiqet nga posti më datë 3 janar të vitit të ardhshëm.

Këto ndryshime ligjore kanë dalur nga marrëveshja e arritur mes liderëve në Përzhino në vitin 2015 dhe të nj;jtat parashohin që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi të zgjedh qeveri të re teknike për zbatimin e zgjedhjeve. Qeveria teknike nënkupton që në vend të kryeministrit të deriathershëm me Qeverinë të udhëheq kryeministër i ri teknik, të cilën e propozon partia me numrin më të madh të votave në Kuvend, në këtë rast LSDM.

Në Qeverinë teknike parashihen të zgjidhen ministra të rinj për punë të brendshme, për punë dhe politikë sociale, si dhe tre zëvendësministra shtesë, të cilët kanë kanë të drejta të barabarta me ministrat.

Për shkak të organizimit të zgjedhjeve për deputetë, Kuvendi me propozim të kryeministrit, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve e zgjedh ministrin për punë të brendshme dhe atë për punë dhe politikë sociale me propozim të partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE-së. Mandati i tyre zgjat deri në ditën e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pas çka sipas ligjit u përfundon mandati.

Për shkak të organizimit të zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi me propozim të kryeministrit teknik emëron zëvendës ministra shtesë të Ministrisë së punëve të brendshme dhe asaj për punë dhe politikë sociale, të propozuar nga partia politike në pushtet, pra nga LSDM, ndërsa në ministrinë e financave, atë të bujqësise, të informatikës, zëvendësministrat shtesë propozohen nga VMRO DPMNE.

Edhe mandati i zëvendësministrave shtesë, zgjat nga dita e zgjedhjes së tyre deri në ditën e publikimit të rezultateve përfundimtare nga KSHZ. Sipas ligjit zëvendësministrat shtesë të Qeverisë teknike kanë kompetenca të barabarta me ministrat.

Modeli i tillë për Qeveri teknike, apo kalimtare, është zbatuar në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të vitit 2016. Ndërsa, modeli i të ashtuquajturës “Qeveri e Përzhinës” ka marrë emrin në bazë të marrëveshjes së arritur mes partive politike pas krizës politike të shkaktuar nga publikimi i bisedave të përgjuara të ashtuquajtura bomba./SHENJA/