Instituti për Hulumtime Politike (IPIS) ka realizuar një anketë të mendimit publik për një periudhë të shkurtë kohore mes 14 dhe 16 qershor me 1119 të anketuar të moshës madhore (mbi 18 vjeç) në gjithë vendin. Në këtë hulumtim, qytetarët i kanë shprehur qëndrimet e tyre rreth mbështetjes për partitë politike. Qëllimi i anketës, siç thonë në IPIS, ishte të analizohet efekti i rezultateve nga zgjedhjet presidenciale mbi mbështetjen që kanë partitë politike, shkruan gazeta KOHA.
Pyetjes “Në rast se javën që vjen mbahen zgjedhje të reja parlamentare, për cilën parti do të votonit?”, 22 për qind e qytetarëve kanë thënë se nuk do të votojnë për asnjë parti politike, 18 për qind nuk kanë dashur të tregojnë, ndërsa 10.2 kanë thënë se nuk e dinë. Për LSDM-në kanë thënë se do të votojnë 19.5 për qind e të anketuarve, ndërsa për VMRON-DPMNE-në 21.2 për qind. Te blloku politik shqiptarë edhe më tej prin BDI me 4.6 për qind e pasur nga Aleanca për Shqiptarët me 2.9 për qind dhe Lëvizja BESA me 1 për qind.
Nga ana tjetër, të anketuar veçmas vetëm qytetarët shqiptarë – anketa përsëri e nxjerrë BDI-në si partinë e parë te shqiptarët. Mbi 32 për qind e shqiptarëve të anketuar kanë thënë se nuk do të votonin asnjërën parti nëse javën e ardhshme mbahen zgjedhje të reja parlamentare, 11.4 për qind nuk kanë dashur të deklarohen, ndërsa 7.5 për qind janë deklaruar të pavendosur. BDI-në e Ali Ahmetit e mbështesin 19.2 për qind e të anketuarve shqiptarë, pasur nga Aleanca e Shqiptarëve e cila ndër shqiptarët ka mbështetje prej 12.5 për qind. Më pas pasojnë LSDM-ja me 9.8 për qind, Lëvizja BESA me 4.3 për qind etj. Ndërkohë që VMRO-DPMNE-ja edhe më tej vazhdon të ketë mbështetje të ulët ndër shqiptarët me vetëm 0.8 për qind.
Nga ISPIS thonë se të dhënat e këtij hulumtimi e reflekton strukturën demografike të anketuarve dhe qëndrimet e tyre të shfaqur gjatë anketimit. “Të gjitha hulumtimet e Institutit mund të jenë cak i gabimeve statistikore të cilët mund të arrijnë në +/- 3 për qind”, thonë nga IPIS.
Comments are closed for this post.