Instituti i Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup në dy vitet e ardhshme do të ketë në dispozicion 30 ilaçe të reja biologjike për shërimin e pacientëve me sëmundje onkologjike, të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe tërësisht të mbuluara nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Në konferencën e sotshme për shtyp, këtë e theksoi, drejtori i Klinikës Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nino Vasev, i cili shtoi që ilaçet që më herët kanë qenë në dispozicion vetëm për një numër të limituar të pacientëve, tani më do të jenë në dispozicion për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë.
“Tenderi dyvjeçar do të thotë që procedurat ligjore janë thjeshtuar dhe se ne vetëm duhet ta porosisim ilaçin në dy vitet dhe ta paguajmë dhe t’ia japim pacientit. Për këto ilaçe aktualisht kanë nevojë për më shumë se 350 pacientë”, shpjegoi Vasev.
Ai shtoi se ilaçet janë të çertifikuara dhe se 100 për qind janë ilaçe origjinale. Siç tha ai, nuk ka asnjë ilaç të vetëm që nuk është origjinal nga kompania që e prodhon.
“Për herë të parë pacientët me sëmundje onkologjike do të trajtohen me terapi biologjike dhe të synuar. Terapia inovative biologjike, monoklonale dhe e synuar është për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim me këtë lloj terapie. Këto ilaçe funksionojnë duke inkurajuar sëmundjen malinje të shndërrohet në një kronike me të cilën pacientët mund të jetojnë me të si çdo sëmundje tjetër kronike. Në këtë mënyrë terapia vazhdon, por gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës”, theksoi Vasev.
Kjo terapi biologjike, siç shpjegoi drejtori, është pjesë e standardeve të protokolleve në vendet evropiane dhe përdoret në fazat e hershme të sëmundjes, por edhe në fazat e avancuara.
“Vendosja e terapisë biologjike do të thotë gjithashtu kursim i mjeteve financiare nga trajtimi i pacientëve jashtë vendit. Në vitin 2018, kur kjo terapi nuk ishte futur ende, vetëm 1.45 për qind e pacientëve filluan trajtimin me ilaçe biologjike”, shtoi Vasev.
Sipas drejtorit, në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë janë regjistruar 5.400 pacientë të rinj në vitin e kaluar. Tek numri më i madh i të diagnostikuesve të ri është zbuluar kanceri i gjirit, hematologjik dhe kanceri në mushkëri. Sëmundja zakonisht zbulohet në fazën e dytë.
Vitin e kaluar, në vend janë regjistruar 9.642 persona të sapo infektuar me neoplazëm malinje, prej të cilëve 72 ishin fëmijë.
Comments are closed for this post.