Fotografi tronditëse vijnë nga burgu i Nigritas në Greqi, ku një i burgosur ka pësuar dëmtime të rënda, siç thotë ai, për shkak të dhunës së ushtruar nga policët grekë.

Në këto foto të publikuara nga mediat greke, i burgosuri me origjinë nga Bullgaria, shfaqet me një “kokë të dytë” në pjesën e pasme. Ai tregon se gjithçka nisi kur një polic e goditi me pistoletë pas koke dhe më pas gjendja u përkeqësua.

Ai i druhet faktit se jeta e tij mund të jetë në rrezik, teksa avokati i tij thotë se po përgatisin dosjen që çështjen ta dërgojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Bullgari u arrestua më 3 Tetor të vitit 2015, kur u kap duke transportuar me autobus refugjatë sirianë në kufirin greko-turk.

“Ata (policët) më lidhën duart me pranga në timon. Njëri filloi të më tërhiqet nga sedilja e shoferit. Ata nxitonin për të më nxjerrë nga autobusi, por nuk e vunë re që i kisha duart pas timonit dhe nuk mund të dilja. Njëri filloi të më godiste me pistoletë në pjesën e pasme të kokës. Nuk mund të bëja asgjë sepse i kisha duart e prangosura pas timonit të autobusit. Në një moment, ndërhyri një oficer tjetër policie”, tregon ai.

Me kalimin e kohës, plaga që i ishte shkaktuar në pjesën e pasme të kokës, filloi të rritej.

Ky i burgosur kërkon që të transferohet në vendin e tij për t’iu nënshtruar një operacioni, në mënyrë që të ketë pranë edhe të afërmit. Por deri tani, kërkesa e tij nuk është trajtuar ende nga Ministria greke e Mbrojtjes së Qytetarëve. Avokati mbrojtës denoncon kushtet në burgun e Nigritas dhe thotë se autoritetet greke po trajtojnë me indiferentizëm gjendjen shëndetësore të të burgosurit. /tvklan.al