Është hapur klubi i notit në Strugë. Iniciativa për hapjen e një klubi shqiptar në Strugë u mor nga sportistja strugane Besa Lleshi dhe profesori i sportit Arben Mustafai.

Nga klubi thonë se ideja për hapjen e klubit ka qenë prej më herët por duke qenë se Struga për vite kishte mungesë të pishinave të mbyllura, nuk mund të realizohej një gjë e tillë.

Ndërsa thonë se ka qenë shumë e nevojshme të merret një hap i tillë dhe interesimi i struganëve për të mësuar notin është shumë i madh.

“Iniciativa ka qenë shumë kohë më herët por për arsye se nuk e kemi patur një pishinë që ja vlen që tket klub aktiv, por shyqyr zotit sot ekziston në qytetin e Strugës që e meriton struga. Për pjesën e nevojshme është me të vërtet shumë, dhe ka munguar kjo pjesë e notit, se noti është një ndër sported më të mira, më të shëndetshme për trupin jo vetëm për të marrë pjesë vetëm nëpër gara por edhe është sport me shumë të mira. Interesimi ka qenë shumë i madh, tani e shikoj që ka interes edhe nga prindërit për fëmijët e tyre.“ – tha Besa Lleshi, sportiste, inciatore e klubit të notit “Drini Swim”.

Struga për vite me rradhë kishte mungesë të pishinave të mbyllura për not, sepse rikonstruimet e pishinës ekzistuese zgjatën shumë. Megjithatë hapja e pishinës u bë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa nga ky vit qytetarët kanë mundësi të përdorin pishinën.

Nga klubi i notit “Drini Swim” thonë se pishina i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të ushtruar sportin e notit.

“Pishina i plotëson kushtet ideale për të pasur një klub por edhe për fëmijët, ngrohja është e mirë si në ujë edhe jasht ujit ambienti është vërtet i ngrohtë” – u shpreh Besa Lleshi, sportiste, inciatore e klubit të notit “Drini Swim”.

Klubi i notit “Drini Swim” ka filluar me punë para disa ditësh. Nga klubi thonë se aktivitetet do të jenë të ndryshme, qytetarët do të kenë mundësi të mësojnë notin por edhe të marrin pjesë në gara sportive të notit.