Lëvizja Besa kërkon nga kryeministri Zoran Zaev që të respektojë marrëveshjen e kushtëzuar me votimin për ndryshimet kushtetuese e që ka të bëj me vendosjen e grafës së përkatësisë etnike në letërnjoftime. Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami thotë se Qeveria ka shkelur marrëveshjen dhe se në rast se nuk tërhiqen nga propozimi aktual, subjekti tij do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratike në Kuvend.

Ky veprim i kryeministrit dhe Qeverisë dëshmon edhe njëherë se LSDM-ja prej shqiptarëve i kërkon vetëm votat, ndërsa nuk ka gatishmëri dhe vullnet për kërkesat legjitime të shqiptarëve. Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë kryeministrit Zaev që të tërheq nga procedura parlamentare Ligjin për letërnjoftime, ta korrigjojë në përputhje me marrëveshjen në fazën e ndryshimeve Kushtetuese dhe ta dërgon si Qeverisë propozimin i cili përfshin edhe grafën e përkatësisë etnike- deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga Qeveria për momentin nuk japin detaje se çfarë përmban propozim-Ligji për dokumentet personale dhe për cilat arsye nuk është respektuar marrëveshja mes Zaevit dhe Lëvizjes Besa. Jo zyrtarisht mësohet se ndryshimet janë të karakterit teknik dhe përshtatja e tij me ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtje. Gjatë procedurës së ndryshimeve Kushtetuese një vit më parë, deputetët e Lëvizjes Besa kishin kushtëzuar ndryshimin e emrit me vendosjen e grafës etnike në letërnjoftime dhe përcaktimin e shtetësisë “e Maqedonisë së Veriut” në raport me shqiptarët. Marrëveshjen e arritur kryeministri Zoran Zaev e kishte publikuan para miratimit të ndryshimeve duke premtuar miratim të shpejtë të ndryshimeve në Ligjin për dokumentet personale. Çështja ishte aktualizuar edhe para zgjedhjeve presidenciale, por Qeveria kishte kërkuar kohë që të zhvendosen ndryshimet deri në përfundim të zgjedhjeve.