Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancë për nisjen ose jo të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të gjuhëve. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Gjykata e caktoi 11 dhjetorin pavarësisht se më herët kjo datë ishte shtyrë për shkak të situatës delikate pas shfuqizimit të Balancerit.
Në seancë, është paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë anëtarët shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari. Ndërkohë, gjykatësi i komunitetit turk, Fatmir Skender sipas gjasave pritet të mos e bojkotojë seancën.
Anëtarët shqiptarë, me bojkotimin e seancës synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për Ligjin e Gjuhëve, pasi që paraprakisht, sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtuese gjatë vitit 2022 dhe 2023 ka miratuar konkluzion që për çdo procedurë lidhur me Ligjin e Gjuhëve, Marrëveshjes e Prespës dhe Ligjin për Komunikime Elektronike, duhet vendoset me pjesëmarrje unanime të të gjithë anëtarëve të gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese gjatë periudhës 2022-2023 ka miratuar dy konkluzione për veprim me lëndët të cilat janë me interes të veçantë për qytetarët dhe për shtetin, siç janë Ligji për ratifikimin e të ashtuquajturës Marrëveshja e Prespës, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Komunikime Elektronike. Me konkluzionin e parë, në vitin 2022, gjykatësit njëzëri vendosën që të tri lëndët nuk do të vendosen në rend dite derisa Gjykata Kushtetuese nuk është e kompletuar me 9 gjykatësit, duke e pasur parasysh faktin se 17 muaj punohej në buzë të kuorumit me vetëm 5 gjykatës”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur e cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë ku kërkojnë nga gjykata që të veprojë me profesionalizëm dhe jo vendimi të jetë i motivuar politikisht, sepse siç thonë, vendimet arbitrare sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.
Kryeministri i Maqedonisë Hristijan Mickoski nga ana tjetër, i pyetur për seancën e Gjykatës Kushtetuese tha se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë.
“BDI për 20 vjet ka emëruar gjyqtarë kushtetues, madje ata e dinë se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Pastaj do të dalin në publik dhe do të thonë: Ja, ne ushtruam presion, prandaj nuk ndodhi asgjë. Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë, ka procedura, seanca përgatitore, e kështu me radhë, por ata sërish po i keqpërdorin shqiptarët, maqedonasit, duke i munduar me përpjekje për ndarje dhe për të tërhequr vëmendjen”, tha Mickoski.
Rasti ishte shënjestër e politikës. Përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” ku thanë se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige, kjo, në formë proteste ndaj seancës.
Mirëpo, gjërat shkuan si mos më keq për BDI-në. Dje Artan Grubi u shpall person non-grata nga SHBA-të dhe Fronti Evropian nuk e përmendi më nismën “Roja për Gjuhën”.
Sidoqoftë, informacione jozyrtare thonë se Kushtetuesja as nuk do ta shfuqizojë dhe as nuk do ta ndalë zbatimin e Ligjit të gjuhëve.
“Gjykata nuk duhet të inicojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Ky është rekomandimi në referatin e gjyqtarit raportues, në të cilin “360 Gradë” ka pasur qasje.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
Comments are closed for this post.