Dënime me të holla prej 250 eurove e deri në 30 mijë euro janë paraparë nëse nuk respektohet vendimi qeveritar për posedim të certifikatave për vaksinim gjatë hyrjes në objekte gastronomike apo në ngjarje.

Gjoba më e vogël është paraparë për personat që janë ulur në kafene, ndërsa më e madhja është për kompaninë e cila e ka lënë personin të ulet aty, duke mos qenë i vaksinuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska, thotë se inspektorët do të kryejnë kontrolle, por jo me qëllim të dënojnë, por të detyrojnë qytetarët të respektojnë masat për mbrojtje nga përhapja e coronavirusit.

“Gjobat lëvizin nga 2500 deri në 30.000 euro për personat juridik, e kjo varet nga madhësia e subjektit juridik, dhe në varësi të shkeljes. Për shkelje të ndryshme, ka gjoba të ndryshme. Ka gjobë për personin përgjegjës prej 1500 eurove, ndërsa për personat fizik 250 euro. Këto janë paraparë me ligjin për sëmundje ngjitëse”, tha Aneta Simeska Dimoska.

Ajo shtoi se inspektorët nuk do t’i kërkojnë vertifikatat nga qytetarët por nga rend mbajtësi dhe përgjegjësit e restoranteve. Inspektori mund t’i udhëzojë përgjegjësit që të mbledhë vertifikatat nga mysafirët në lokal sepse inspektorët nuk kanë të drejtë të kontrollojnë të gjithë mysafirët në çdo tavolinë.

Ndryshe, nga 16 gushti, të gjitha objektet e mbyllura nuk do të mund të organizojnë festime, ndërsa në pjesë të hapura të cilat janë me kapacitet prej më tepër se 30 mysafirë, duhet patjetër të ketë person që do të mbajë rendin, ndërsa pjesëmarrësit duhet të kenë marrë së paku një dozë vaksinë.