Në kulturën ushqimore tradicionale kineze, ushqimi vegjetarian është një stil i veçantë ushqimor që përmbledh mençurinë shëndetësore. Ushqimi vegjetarian, kryesisht përbërësit me bazë bimore, si perimet, frutat, bishtajat, drithërat etj., jo vetëm përmban elemente të pasura ushqyese të nevojshme për trupin, por edhe ka një rëndësi të madhe për harmonizimin e trupit dhe promovimin e shëndetit.
Historia e zhvillimit të ushqimit vegjetarian
Qysh nga periudha e Pranverës dhe Vjeshtës (vitet 770-476 para erës sonë), kinezët filluan ta përdornin ushqimin vegjetarian për blatim, duke shprehur respektin për perënditë. Përhapja e budizmit në Kinë nxiti më tej zhvillimin e ushqimit vegjetarian. Në shekullin e 20-të, ndër 10 mijë restorante në Pekin, 700 ishin me ushqime vegjetariane, duke zënë 7 % të numrit të përgjithshëm të restoranteve të Pekinit. Gatimet vegjetariane të pallatit perandorak janë shijuar kryesisht nga perandorët, dhe më vonë u përhapën në popull.
Elementet ushqyese të ushqimit vegjetarian
Ushqimi vegjetarian ofron elemente të pasura ushqyese. Për shembull, për sa u përket vitaminave, perimet në ngjyrë jeshile të errët, si spinaqi, lakra jeshile etj., përmbajnë shumë vitaminë K, që favorizon shëndetin e kockave. Ndërkohë, agrumet, si portokalli, mandarina etj., janë të pasura në vitaminë C, që forcon imunitetin dhe nxit përthithjen e hekurit. Fasulet e zeza dhe fasulet e kuqe përmbajnë hekur, që mund të parandalojë aneminë. Arrat, bajamet etj., kanë magnez, që bën mirë për shëndetin e zemrës.
Teoria e mjekësisë tradicionale kineze: Ushqimi vegjetarian dhe ruajtja e shëndetit
Sipas teorisë së mjekësisë tradicionale kineze, ushqimi vegjetarian është i mirë për rregullimin e shëndetit të trupit dhe parandalimin e sëmundjeve. Ushqimi vegjetarian mund të pakësojë ngarkesën e stomakut e të shpretkës, duke nxitur tretjen dhe duke favorizuar qarkullimin e energjisë Qi e të gjakut, veçanërisht për personat me shumë nxehtësi e lagështirë të brendshme.
Comments are closed for this post.