Zbatimi i gjuhës shqipe nga disa institucione të Maqedonisë së Veriut ka nisur me gabime gjuhësore që ka nxitur reagime në opinion pasi sipas njohësve të çështjeve të gjuhësisë, të gjitha përkthimet që i bëjnë institucionet duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të detajuar, apo të presin nisjen e punës së dy agjencive që do të kenë për detyrë zbatimin e dygjuhësisë.
Gabimet që janë regjistruar kryesisht kanë të bëjnë me emrin e ri të shtetit, me mospërdorimin drejt të disa shkronjave, përdorimin e fjalëve të huaja, apo përkthimin e fjalimeve pa respektimin e normave gramatikore.
“Mendoj që kjo që është ndërmarr që të kryhen përkthimet apo të vendosen tabelat e institucioneve të ndryshme në dy gjuhë besoj se është manipulim i partive politike. Ato mendojnë se me këtë punë që po bëhet shpejt e shpejt është arritur që të zbatohet gjuha shqipe në praktikë. Ky është një gabim shumë i madh pasi mendoj se nuk duhet të ngutemi pasi gabimet e tilla pastaj ngelim me vite të tëra e ndoshta asnjëherë edhe nuk përmirësohen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Avzi Mustafa, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit.
Ai thotë se gabime gjuhësore ka pasur në vazhdimësi dhe se tani është koha që ato të evitohen apo të mos përsëriten gjatë nisjes së zbatimit të Ligjit për gjuhën. Mustafa thotë se duhet të pritet në zyrtarizimin e dy institucioneve që parashohin zbatimin e gjuhës, e që janë agjencia dhe inspektorati për zbatimin e Ligjit për gjuhët.
“Tani kur është shpallur edhe konkursi, ai që do të jetë kryesori, të mendoj për njerëzit që vërtetë janë profesionist, njerëzit më eminent, më të përkryerit, që njohin gjuhën amtare por edhe gjuhën maqedone që të kemi një përkthim ashtu siç e kërkon natyra e gjuhës shqipe”, thotë profesori Mustafa.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se janë të përkushtuar për zbatimin e përpiktë të ligjit të gjuhëve dhe se kjo do të bëhet me ndihmën e agjencisë dhe të inspektoratit, që janë në themelim e sipër.
“Institucionet të cilat nuk e përdorin gjuhën shqipe, nuk e zbatojnë në praktikë ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore parashihen edhe masa ndëshkuese edhe për institucionet por edhe për bartësin e institucionit”.
“Shpresojmë se gabimet të cilat kanë filluar të paraqiten do të mënjanohen pasi do të ekipohet edhe agjencia për përdorimin e gjuhës sikur edhe inspektorati për zbatimin e gjuhës dhe me kalimin e kohës do të kemi një përdorim të drejt të gjuhës shqipe, pa gabime ashtu siç përdoret edhe në Shqipëri e Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Në bazë të nenit 22 të ligjit për gjuhët, për mos zbatimin të dispozitave parashihen gjoba nga 4 deri më 5 mijë euro për institucionet dhe 30 për qind të kësaj vlere edhe për drejtuesin e institucionit.
Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 mars 2018 ndërsa më 14 janar të këtij viti është botuar në gazetën zyrtare me çka edhe ka hyrë në fuqi.
Ligji parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera./Rel/
Comments are closed for this post.