Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, sonte kanë filluar fluturimet e reja direkte drejt Barcelonës dhe Lionit, të operuara nga kompania ajrore me kosto të ulët “Wizz Air”. Fluturimi i parë për në Barcelonë u nis me 161 pasagjerë, ndërsa drejt Lionit udhëtuan 180 pasagjerë, informuan nga TAV Maqedoni.
Linja për në Barcelonë do të zhvillohet dy herë në javë çdo të martë dhe të shtunë, ndërsa për në Lion do të ketë tre fluturime në javë, të martën, të enjten dhe të shtunën. Bëhet fjalë për dy destinacione të reja nga aeroporti i Shkupit, njëra prej të cilave Barcelona ka qenë më parë e qasshme, por për një kohë të gjatë ka munguar lidhja direkte.
Nga TAV bëjnë të ditur se vendosja e këtyre linjave vjen si rezultat i interesimit të shtuar dhe kërkesave nga udhëtarët. Lioni, i cili renditet ndër qendrat më të mëdha gastronomike në Evropë, deri tani nuk ka pasur lidhje direkte me kryeqytetin e Maqedonisë.
Në kuadër të aktiviteteve promovuese, në fluturimin e parë për në Barcelonë udhëtoi edhe një fituese e dy biletave falas, të cilat u ndanë përmes një përzgjedhjeje të rastësishme në thirrjen e publikuar në rrjetet sociale të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.
Comments are closed for this post.