Sipas dinamikës së tanishme, pritjet janë që vaksinën kundër Covid-19 ta marrim dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, në janar ose shkurt, tha ministri Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp. Filipçe theksoi se është optimist se dy vaksina për kohë të shkurtë do të marrin aprovimin për përdorim.

 

“Edhe kompania e dytë pas kompanisë AstraZeneca, kompania Pfizer ka aplikuar për leje për përdorim në Agjencinë Evropiane për Ilaçe, kjo procedurë zakonisht zgjat disa muaj, kur të mbarojnë të gjitha fazat klinike të testimit, nisin procedurat administrative. Besoj se do të japin leje me të ashtuquajturën, procedurë urgjente dhe se deri në Vitin e Ri do të marrin leje dy vaksinat për distrubuim”, tha Filipçe.

Filipçe tha se vendi tashmë është pjesë e COVAX mekanizmit, dhe se përveç këtij mekanizmi kanë edhe dy oferta nga Polonia dhe Greqia për furnizim me vaksinë.

“Ne i presim vaksinat përmes COVAX mekanizmit, kjo do të thotë se secili prodhues, këto dy kompani vetëm se janë pjesë e këtij mekanizmi, pasi të marrin lejen për përdorim, i shpërndajnë dozat dhe pastaj vakcinat shpërndahen në mënyrë të barabartë në të gjitha shtetet që janë pjesë këtij mekanizmi. Ne e kemi nënshkruar këtë marrëveshje, qeveria ka ndarë buxhet, dhe i presim vaksinat përmes këtij mekanizmi. Kemi edhe dy oferta tjera, njëra nga Polonia dhe tjetra përmes kryeministrit grek Micotakisi, i cili në takimin në Selanik ka shprehur vullnetin dhe mundësinë që të jemi pjesë e sasisë së tyre të prokurorimit, ku si vend anëtarë në BE, do të furnizohet me vaksinë përmes kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë AstraZeneca”, pohoi Filipçe.