Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, bëri të ditur se të dielën në vendin tonë do të arrijnë edhe doza të tjera të vaksinës kineze. Ai tregon se vaksinat ndihmojnë që lloji indian i virusit të kalohet më lehtë dhe se në periudhën e ardhshme vaksinimi do të zhvillohet me një ritëm më të shpejtë, raporton TV21.

“Vlerësimi ynë tregon se nuk ka rrezik të ri të një vale të re në të ardhmen e afërt. Por duhet të kemi kujdes. Ka raste të qytetarëve të vaksinuar të infektuar me llojin indian në disa vende. Sidoqoftë, në 98% pamja e tyre klinike është më e dobët dhe nuk ka nevojë për shtrim në spital. Kjo është arsyeja pse tani do të kemi një ritëm të përshpejtuar të vaksinimit”, tha Filipce.