Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot përmes profilit të tij në Fejsbuk informoi se termine për vaksinim kanë marrë të gjithë qytetarët e moshës mbi 40 vjet nga Shkupi, të cilët deri më 30 prill kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb-faqes „www.vakcinacija.mk“.

Siç thekson ministri, gjatë tri ditëve të ardhshme edhe nga qytetet e tjera të vendit, termine për vaksinim do të marrin qytetarët e moshës mbi 40 vjeçare, të cilët deri në fund të prillit kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes kësaj ueb-faqe.

Filipçe bëri të ditur se prej dje ka filluar edhe vaksinimi i pacientëve me dializë dhe me transplantim.

“Prej dje filloi vaksinimi edhe i pacientëve të cilët janë në dializë, si dhe pacientët me transplantim. Imunizimi në shtet zhvillohet me tempo të përforcuar, mënyra më e lehtë që të vaksinoheni është duke u regjistruar në www.vakcinacija.mk”, tha Filipçe.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme nga 4.196 teste u regjistruan 112 raste të reja me coronavirus, 13 pacientë humbën jetën edhe 2.179 u regjistruan si të shëruar.