Agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian (Europol) potencoi kërcënimin që paraqet organizata terroriste PKK për vendet anëtare të bllokut në një raport të publikuar të mërkurën.

Europol në raportin e saj vjetor mbi terrorizmin zbuloi se anëtarët e disa grupeve evropiane të së majtës ekstreme dhe anarkistëve kanë trajnuar dhe luftuar në krah të terroristëve të PKK-së në veri të Irakut, Turqisë juglindore dhe së fundmi në verilindje të Sirisë, ku janë kryer shumica e sulmeve të grupit terrorist.

“PKK-ja është shumë aktive në BE, kryesisht duke përdorur shtetet anëtare si baza për qëllime administrative, rekrutimi dhe financimi”, thuhet në raport, duke shtuar se trafiku i drogës dhe mashtrimi janë ndër burimet kryesore të të ardhurave të saj në BE, të cilat përdoren për financimin e fushatës së saj terroriste.

Më tej raporti thekson se PKK-ja gjithashtu drejton një aparat të gjerë propagande në gjithë Evropën.

Sipas Europolit, në vitin 2022 Gjermania arrestoi katër persona dhe Italia një person për lidhjet e tyre me PKK-në.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, ShBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.