Siç njoftoi paraditen e sotme Prokuroria publike e Republikës së Maqedonisë, të dyshuarit e moshës 45 dhe 42 vjeçare me ekskavator kanë rrënuar një pjesë të rrethojës së poliklinikës së “Bit Pazarit” dhe kanë filluar rrafshimin dhe mbushjen e tokës pranë qendrës shëndetësore e cila nuk ka qenë pronë e tyre, me qëllim që ta shndërrojnë të njëjtën në parking edhe pse për këtë nuk kanë pasur leje përkatëse nga komuna.

“Prokurori publik kompetent ka propozuar masën e paraburgimit duke vlerësuar se në rastin konkret ekziston rreziku që të dyshuarit ta përsërisin veprën, sepse aktet penalo-juridike i kanë ndërmarrë përmes vullnetarizmit dhe arbitraritetit, duke dëmtuar pronën e objektit që është në posedim të përgjithshëm. Të dy kanë manifestuar rezistencë të madhe për realizimin e kësaj dhe për vetëm dy orë kanë arritur të shembin rrethojën dhe shtyllat e betonit me qëllim për të lejuar qasje në makinerinë e ndërtimit të lokacionit, kanë filluar të sjellin kamionë dhe kanë derdhur sasi të madhe të rërës për të mbushur hapësirën. Gjatë natës, në një vend veçanërisht të frekuentuar të qytetit, gjatë gërmimit kanë arrit deri te muret e spitalit duke rrezikuar kështu qasjen në spital dhe shoqërimin e pacientëve në raste urgjente”, thonë nga PP.

Sipas PP, gjykatësi në procedurë paraprake ka shqyrtuar rrethanat dhe për të dyshuarin e parë i cili ka uzurpuar tokën, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh, ndërsa për të dyshuarin e dytë – drejtues i ekskavatorit është caktuar masë e kujdesit.